Djegia e mandateve u mendua si një levizje që do ti sillte “shpëtim” opozitës por ditë pas dite po vërtetohet krej e kundërta, ajo e një “vetvrasje” politike.
Thënë kjo, pasi gjerat nuk shkuan ashtu sic priteshin duke bërë që edhe vetë veprimi i paprecedentë i djegies së mandateve të zbehej nëmënyrën e vet.
Gjithçka nisi kur Myskim Murrizi dhe Rudina Hajdari refuzuan të digjinin mandatet nga PD, ndjekur nga Lefter Koka i LSI. E kaq do të duhej për tu “hapur loja” që kandidatët për deputetë të pranonin mandatet.
Megjithatë, vëmëndja është zhvendosur jo tek Murrizi që edhe u përjashtua publikisht, por tek Rudina Hajdari e cila ende nuk e ka dhënë verdiktin e saj përfundimtar ndonëse e ka lënë të nënkuptohet.
E gjitha “lufta” brenda Partisë demokratike duket se është zhvendosur tek e bija e Azem Hajdarit, simbolit të demokracisë.
Në reagimin e saj për djegien e mandatit, Rudina u shpreh ndër të tjera se “Për këtë, gjatë kësaj periudhe jam konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të aleatëve më të çmuar, seriozë e të vendosur në rrugën e vështirë të kombit tonë, që nga shpallja e pavarësisë, rrëzimi i rregjimit komunist e më tej në proçeset trasformuese të zhvillimit ekonomiko-social dhe të integrimit euro-atlantik”.
Kujtojmë se Rudina ka qënë pjesë e stafit të kongresmenit amerikan Eliot Engel, dhe bisedimi me të nuk përjashtohet si mundësi,
Gjatë protestës së studentëve, Rudina Hajdari deklaroi se do e digjte mandatin e deputetit. Ndonëse nuk e bëri as atëherë e as tani, ajo njihet për mosmarrëveshjet që ka me kreun e opozitës Lulzim Basha.
Kjo mendohet të jetë edhe një prej arsyeve se përse Hajdari nuk do të djegi mandatin, duke mos iu bindur kështu urdhrave të kryetarit të Partisë Demokratike.
Ishte aleati I Bashës, Nard Ndoka ai që në një intervistë televizive u shpreh se Rudina Hajdari ishte e panjohur derisa Basha e futi në Kuvend. Ai shtoi se e vetmja gjë që e mbante ishte emri I të atit.
“Ajo thjesht duhet ta ketë të qartë se nuk u afrua më PD për vlerat e saj personale, se ishte një emër i panjohur, por PD e afroi se përfaqësonte një emblemë të PD, të historisë së kësaj partie.”
Fill pas tij, erdhi dhe një tjetër reagim që bëri bujë. Bëhet fjalë për deklaratën e avokatit Spartak Ngjela kur tha se Rudina do të jetë liderja e re e opozitës.
“A do ta formojë Rudina Hajdari opozitën proamerikane në Kuvendin e Shqipërisë?
Sigurisht që po.
Qëndresa e saj kundrejt hordhive antiamerikane të Partisë Demokratike, krijon ndërkaq vlerë individuale për një grua që ka hyrë në politikë me një histori të shkëlqyer familjare dhe me një formim akademik individual të krijuar në universitetet amerikane.”
Si për ta “theksuar” mbështetjen, edhe ish kreu I PD në Gjirokastër, Bejko reagoi sot ashpër kur u shpreh se Partia demokratike po vepron si në diktaturë e nëse ata e heqin Hajdarin do të iki dhe ai vetë.
“Nëse Lulzim Basha largon nga PD të bijën e Azem Hajdarit, unë deklaroj sot se nuk do të jem më anëtar i Partisë Demokratike për aq kohë sa kjo parti parimin e saj fondamental LIRINË, ta ketë zëvendësuar me DISIPLINËN, me këtë parim që është në genin e partive që pjellin diktatorë dhe diktatura.”
Mos vallë Rudina Hajdari po kthehet në simbolin e një opoziteje të re që po lind në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë?
Përgatiti: AlpeNews.al