Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se dialogimit që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po e bën në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, është i kotë sepse, sipas tij, ai është i vetmuar dhe nuk e ka përkrahjen e popullit.
Kurti, në një intervistë për mediumin serb “Istinomer”, ka folur për shumë tema, ndërsa për çështjen e dialogut ka thënë se Thaçi e ka humbur edhe kredibilitetin e edhe autoritetin.
“Thaçi kot negocion me Vuçiqin, sepse ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë në llogarinë tonë. Ai është i vetmuar, nuk e ka përkrahjen e popullit, sikur që nuk e ka as mandatin e Kuvendit për çfarëdo negociatash. Thaçi e ka humbur edhe kredibilitetin edhe autoritetin”, thotë Kurti.
“Kancelarja Merkel në disa raste ka theksuar se Gjermania nuk e përkrahë ndërrimin e kufijve, e qëndrim të ngjashëm kanë edhe qeveria britanike dhe ajo franceze. Fjala është për shtete kyçe të BE-së që e kanë njohur Kosovën në kufijtë ekzistues. Duetin Thaçi-Vuçiq eventualisht e përkrahin qarqe të caktuara të së djathtës ekstreme”, thotë në intervistën për “Istinomer”, Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes.
Ai vlerëson se ideja e delimitimit mund të duket tërheqëse për disa rryma brenda BE-së, sepse Serbia duhet ta përmbushë artikullin 35 në negociatat për anëtarësim, që nënkupton definimin e territorit dhe të kufijve, mirëpo që Kosova nuk mund të heqë dorë nga territori i saj dhe nga interesat e saj jetike për shkak të Serbisë.
Përkujton që Serbia duhet ta njohë Kosovën, kurse në anën tjetër BE duhet që, për shkak të ruajtjes së paqes në tërë rajonin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, t’i anëtarësojë të gjitha vendet së bashku.


