Ishte kënaqësi të merja në duar, prurjen më të re në treg, të Botimeve “UET Press”: “NOCTOURN. Kur arsyeja errësohet nga pushteti”.
Një libër mban firmën e ish Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi.
Përveç vlerave të tjera të padiskutueshme, kjo ndërmarrje publicistike, shënon një kontribut të vyer për bibliotekën politike shqiptare.
Një hap që çon drejt thellimit e konsolidimit të traditës së mirë, të lënies së kujtimeve dhe gjykimeve, nga drejtuesit kryesorë të shtetit shqiptar nëpër histori.
Në demokracitë perendimore, konsiderohet përjashtim nga rasti nëse Presidentët dhe Kryeministrat, nuk botojnë “memuaret” e tyre pas lënies së detyrës.
Në historinë e Shqipërisë, mes figurave më të rëndësishme, do na mungojnë kujtimet e jetës së tyre politike nga Ahmet Zogu e Fan Noli, nga Sali Berisha (ka deklaruar se nuk do lë) dhe Fatos Nanos (që, nuk i dihet…).
Ish Kryeministrat Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Ylli Bufi kanë botuar tashmë, sikundër edhe ish Presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu.
Për të gjithë ata që janë të interesuar për çështjet e zhvillimeve politike në Shqipëri, libri i z. Topi meriton një vend në bibliotekën e tyre personale.