Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka shkruar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, letër për Ditën e shtetësisë së Serbisë, ku mes tjerash ka kërkuar njohje të ndërsjellë në kuadër të procesit të dialogut me Kosovën. “Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkrahjen ndaj angazhimit tuaj për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti për përpjekjet tuaja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet në letrën, raproton rel. Trump ka kërkuar nga palët, Kosova dhe Serbia, që të angazhohen për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. “Ne besojmë që njohja e ndërsjellë duhet të jetë elementi qendror i një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve.
Një marrëveshje e tillë historike, me njohjen e ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën që ka si qëllim integrimin evropian të Serbisë dhe rritjen ekonomike “, thuhet në letrën e presidentit Trump. Gjithashtu Trump ka përgëzuar Vuçiçin dhe popullin serb për Ditën e shtetësisë. Letra e plotë: I nderuar zotëri president, Në emër të popullit amerikan, kam kënaqësinë t’iu dërgojë urimet më të sinqerta me rastin e Ditës së Republikës së Serbisë.
Këtë vit, në festimin e 100 vjetorit të valimit të flamurit serb në Shtëpinë e Bardhë, duhet të nisemi nga ajo që të sigurojmë që shekulli i ardhshëm i partneritet tonë të jetë i ngjashëm me atë të kaluarin sa i përket përkushtimit për paqe, prosperitet dhe liri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të palëkundura në mbështetjen e përkushtimit tuaj sa i përket thellimit të bashkëpunimit rajonal, në veçanti në angazhimin tuaj për normalizimin e raporteve me Kosovën.
Derisa ju mbetet palëve të arrijnë marrëveshje që të dyja mund ta mbështesin, konsiderojmë se njohja e ndërsjellë do të duhej të ishte elementi qendror i normalizimit të raporteve. Një marrëveshje e tillë historike, me njohje në tërësinë e saj, do të ndërtonte rrugën për qëllimin e integrimit euroatlantik të Serbisë dhe rritjen ekonomike.