Mes blerësve të shumtë të Panairit të Librit, në këndin e romanit “Sarah” të stendës së “UET Press”, një vajzë që sapo ka kaluar të njëzetat pëshpërit: “Edhe unë jam Sara!” Në fakt, do të doja ta kisha, “Sarah”. Shfleton para- prapa një kopje të librit dhe bën që të nxjerrë portofolin. Në çast, një nga menaxherët e shtëpisë botuese, ndërhyn:
- Jo, Ju nuk do të paguani.
- Pse?
- Sepse jeni përfituese e iniciativës së shkrimtarit dhe botuesit si edhe të gjitha Sarat e tjera shqiptare, për ta marë falas kopjen e librit.
E kënaqur sigurisht, por edhe e suprizuar, pasi nuk ishte e informuar më parë për nismën, pranon që të ndajë për kënaqësinë e saj me të gjithë lexuesit e Alpenews.al, historinë e emrit. Një histori e shkruar prej saj, e shoqëruar edhe me një foto të rrallë nga fëmijëria. Letra e plotë:
(Në foto, Sara Gacaj në stendën e “UET PRESS”.)
Historia e emrit tim SARA
Since 1996.
Dy njerëz të dashuruar me njëri tjetrin çdo ditë e më shumë e ushqenin lidhjen e tyre me përkushtim, respekt dhe besnikëri. Çdo gjë dukej se ishte në vendin e vet: shtëpia, puna. Përveçse një fëmijë… që ti bashkonte edhe më shumë e që ti bënte prindër për herë të parë, që aq shumë e dëshironin.
Ishte shkurt, një muaj i ftohtë dimri kur mami kuptoi për herë të parë se brenda saj kishte hedhur rrënjë, një qënie tjetër. Më në fund, një bebe! Sa emocion. Lot gëzimi, e përzier edhe me pak frikë e shumë përgjegjësi: a do të ishin prindër të denjtë për të rritur një fëmijë siç ata ëndërronin?
E ndërkohë mijëra pyetje të mëdha e dilema të vogla: Ishte një djalë? Apo një vajzë? Kujt do ti ngjante më shumë? A do ishte i shëndetshëm?…
Duke qenë se vizitat e shtatëzanisë duhet të jenë të rregullta, mami vendosi që të kryente një echo në trimestrin e parë. Çdo gjë po shkon për bukuri,- kishte thënë doktori. Fëmija duket mirë. Gjinia? Mashkull. Tjetër herë me vajzë…
Ç’farë emocioni. Mami që e vogël kishte ëndërruar për një vajzë, që të rritej shpejt e të bëheshin shoqe. Ndërsa babi, edhe pse nuk është ai mashkulli tipik shqiptar që rendin pas djemve, ideja gjithësesi e tundonte.
Menjëherë filluan përgatitjet. Nisën të bliheshin një e nga një karroca blu, rrobat blu, krevati… Ndërkohë nisën të mendonin e diskutonin për emrin. Mami duket se nuk kishte qenë edhe aq e papërgatitur për këtë. Ndaj kishte thënë: Rei’ (si re’, nga italishtja = Mbret). Por një zë i brendshëm, një tundim i parrëfyer, një bestytni dhe një mendim gati sipëror, e bënte që të besonte akoma se… mund të kishte ndodhur edhe ndonjë gabim. Po sikur të lindë vajzë? Sa herë ka ndodhur që mjekët thonë tjetër dhe më pas lindin bebe të një gjinie tjetër? Ndaj, ishte e përgatitur edhe për këtë. E ashtu në heshtje, ishte bërë gati që nëse do ishte vajzë, ta quante: Rea.
Ishte 21 tetori i vitit 1996, ora 7 e mëngjesit kur u desh që mami të shtrohej në repartin e gjinekologjisë, për të sjellë pas pak në jetë një… vajzë. E siç më thotë gjithmonë: Ishe e bardhë borë, e me flokë pis të zeza. Ç’farë befasie. Kishin kaq e kaq muaj që kishin bërë gjithçka gati për të pritur një djalë. E tani, sapo kishin mësuar se ishin bërë prindërit e një vajze. Mami ishte gruaja më e lumtur në botë, ndërsa babi ndezi menjëherë një cigare. Por në mes të këtyre dy gjendjeve, ndërhyn stërgjyshja: Ej, gëzohuni: Kush ka vajza, botën ka!
Afër meje ishin dy kushërirat e mia, të vogla atëherë, me atë zellin për të qenë të përfshira e për të hyrë në garë, që ta vendosnin ato emrin tim. Ishin frymëzuar nga libri “Princesha e vogël Sara”, i novelistit francez Hodgson Burnett. Sara, Sara… Të gjithëve u pëlqeu, sepse kuptuan shpejt se kishte kuptim në shumë kultura e qytetërime. Edhe pse është një emër hebre, ka kuptim pët të dyja fetë; edhe islame edhe të krishterë. Eshtë sinonimi i Princesësh. Duke qenë se prej pesë shekujsh kemi qenë nën sundim Osman, shumë fjalë kanë hedhur rrënjë dhe bashkë me to edhe fjala: Sara-je. Me të cilën kemi kuptuar si popull një objekt apo ndërtesë gati të shenjtë, që më së shumti tregon pushtet, pasuri, status, vlerë.
Kështu në një familje të re, të vogël por të shëndetëshme, erdhi në jetë dhe nisi të rritej Sara. U rrita me gjithë dashurinë e prindërve të mi dhe pas 6 vitesh, familjen tonë Zoti e bekoi edhe me një vajzë tjetër. Me ne u bashkua për të ardhur në jetë, motra ime, Dea. Ditët kalonin, po rriteshim të dyja e vazhdojmë kështu gjithmonë me dëshirën dhe qëllimin për ti bërë të dy prindërit tanë, sa më të lumtur e krenarë për ne.
Më gëzuat shumë dhe më suprizuat duke më dhuruar romanin tuaj “Sarah”. Kisha dëgjuar në media dhe sapo u hap Panairi i Librit, u nisa ta blija. Sepse edhe unë jam një Sara. Një Sarah… Ndaj do të doja që tju surprizoja edhe unë sado pak, duke ju thënë, se edhe babai im e ka amrin… Alfred.
Me respekt,
Sara Gacaj