Pavarësisht virulencës së tij, shpejtisë me të cilën u përhap në të gjithë globin, sërish ka akoma vende ku COVID-19 nuk ka arritur dhe ndoshta nuk do të arrijë kurrë.
Vende pa maska në fytyrë, distancime shoqërore apo bllokime. Ka një pjesë të vogël të vendeve në të gjithë globin, shumica ishuj të largët, që kanë arritur t’i shpëtojnë pandemisë. Paqësori është ‘shtëpia’ e kombeve pa COVID. Në arkipelagun e largët të ishujve Cook, koronavirusi ka qenë një spektër që nuk doli kurrë nga hijet.
Në muajt e parë të shpërthimit, shkollat u mbyllën në Rarotonga, ishulli më i populluar dhe njerëzve iu kërkua të respektonin distancimin social. Por pas pak javësh edhe këto masa u relaksuan. Por në një vend me vetëm 22 mjekë dhe 2 ventilatorë për një popullsi prej 17500 banorë, shumë prej tyre kanë jetuar me frikën e një shpërthimi të pakontrolluar.
Turizmi kontribuon mbi dy të tretat e produktit të brendshëm bruto nominal të Ishujve Cooks. Pra, kur qeveria u mbylli kufijve udhëtarëve ndërkombëtarë në mes të marsit, ndikimi ishte i shpejtë dhe i theksuar.
“Në momentin që mbyllëm kufijtë tanë, ajo goditi njerëzit tanë në xhep,” tha kryeministri Mark Brown.
Që nga ajo kohë, ekonomia është mbështetur nga një paketë lehtësimi qeveritare që i ka mbajtur punëtorët në punë.
Nëpër Paqësor, mbajtja jashtë e virusit ka kërkuar, në thelb, mbajtjen e kufijve me vendosmëri të mbyllur.
Tonga ka ndaluar pothuajse të gjitha lëvizjet brenda dhe jashtë mbretërisë dhe ka shmangur virusin, ashtu si edhe Kiribati, Niue, Nauru dhe Tuvalu.
Izolimi i detyruar ndihmon. Dy nga vendet e vetme në tokë që nuk lidhen nga aviacioni, ishujt Tokelau dhe Ishulli Pitcairn, janë gjithashtu pa Covid.


