Ilir Meta, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka ngritur një dolli për popullin e Tropojës me rastin e vizitës në këto vise.
“Ambasadorit Minxhozi i kërkoj të marrë përgjegjësitë për këtë shëndet, për popullin e mrekullueshëm të Valbonës dhe Tropojës, që i mikpret të gjithë dhe është kaq i përkushtuar për të treguar këto bukuri të jashtëzakonshme të Bjeshkëve të Nemuna e Alpeve tona”, thotë Meta në dollinë e tij.
Kreu i shtetit vizitoi dje Alpet Shqiptare ku edhe ngjiti Majën e Jezercës, 2696 metra, pikën më të lartë të alpeve tona, por edhe më të vështirën në të gjithë Ballkanin. Ashtu siç është traditë, në fund të ngjitjes, si të gjithë alpinistët apo edhe udhëtarët, Meta ka shkruar këtë mesazh në librin e përshtypjeve:
“Mrekulli të ngjitesha këtu në kryemajën e alpeve tona, Jezercë. Falenderim të veçantë Fatos Kotollozit dhe Mentor Bojku të “Outdoor Kosova”, Dardanit e Julianit nga Valbona dhe Bashkim Kuliçit nga Tropoja“,- shkruan Presidenti.