Teksa e gjithë bota po vuan pasojat e pandemisë tashmë prej 10 muajsh me humbje të mëdha në jetë, miliona të infektuar, Britania e Madhe bëhet vendi i parë në botën perëndimore që këtë javë do të nisë vaksinimin anticovid.
Vaksinat Pfizer /BioNTech janë prodhuar në Belgjikë dhe kanë udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar me kamionë të veçantë, pasi për mirëmbajtjen e tyre kërkohen temperatura shumë të ulëta.
Sipas asaj që raportohet Mbretëria e Bashkuar ka porositur 40 milionë doza vaksine, një numër i mjaftueshëm për të vaksinuar 20 milionë njerëz, ndërkohë që miliona doza të tjera priten gjatë muajve në vijim.
Vaksina Pfizer/ BioNTech ofron mbrojtje deri në 95% kundër Covid-19. Ky është një lajm i shumëpritur dhe mjaft optimist për të ardhmen.
Në një lidhje ‘Skype’ për ‘Wake Up’, mjeku Baki Ejupi, i cili punon në Britaninë e Madhe tregoi se cilët do të vaksinohen të parët.
“Ardhja e vaksinës është një lajm i mirë, si për komunitetin mjekësor, ashtu edhe për popullatën, duke pasur parasysh kohën e vështirë që Mbretëria e Bashkuar ka kaluar tashmë që prej fillimit të pandemisë, me mbi 70 mijë të vdekur direkt ose indirekt nga Covid-19.
Së pari është bërë një plan veprimi ku janë krijuar kategori të pacientëve, të cilët do të kenë akses, pavarësisht nga vulnerabiliteti i tyre.
Kështu që të parët në rend janë personat që jetojnë në Shtëpitë e të moshuarve dhe stafi që kujdeset për ta, për arsye se këtu ka qenë numri më i madh i fataliteteve.
Në rendin e dytë ose në kategorinë e dytë do të jenë të gjithë personat mbi 80 vjeç dhe stafi mjekësor. Më pas vjen kategoria e tretë, personat mbi 75 vjeç me sëmundje përcjellëse, më pas ata me 70 vjeçare, 65 vjeçare etj.
Plani përfundimtar është që të gjithë personat mbi 50 vjeç të jenë të vaksinuar. Vaksinimi do të jetë me dëshirë. Ata nuk do shtyhen ta bëjnë, por do informohen për efikasitetin dhe të mirat që ajo ka”, sqaroi mjeku shqiptar.


