Nis ceremonia zyrtare e inaugurimit të Presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të bëjë betimin si presidenti në një kohë përçarjesh të thella dhe krizash të vështira.
Ndryshe nga çdo herë tjetër në një ceremoni si kjo do të mungojnë njerëzit për shkak të zbatimit të masave kundër përhapjes së koronavirusit, pandemisë që ka pushtuar mbarë globin.
Ekipi i Biden është përpjekur të mbajë turmat në minimum dhe u ka kërkuar amerikanëve që të mos udhëtojnë në Uashington, DC, por ta ndjekin inaugurimin nga shtëpitë e tyre.
Në vend të njerëzve, komiteti i inaugurimit ka vendosur 200,000 flamuj që përfaqësojnë të 56 shtetet dhe territoret amerikane.
Ora 16:31- Biden mbërrin në Kapitol për inaugurimin e tij
Autokolona e Presidentit të zgjedhur Joe Biden ka mbërritur në Kapitol përpara inaugurimit të tij.
Udhëheqësit e Kongresit pritet ta përshëndesin atë gjatë hyrjes në ndërtesën e Kapitolit.
Biden pritet të bëjë betimin e zyrës jashtë ndërtesës në mesditë.
Ora 16:20- Biden në shërbesën fetare në Katedralen e Shën Mateos në Uashington
Joe Biden mori pjesë të mërkurën paradite në shërbesa fetare në Katedralen e Shën Mateos në Uashington, pak orë para ceremonisë së inaugurimit. Demokratët Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer, si dhe republikanët Mitch McConnell dhe Kevin McCarthy shoqëruan presidentin e zgjedhur në meshë.
Ora 16:17- Anëtarët e Kongresit kanë filluar të mbërrijnë në Kapitol
Anëtarët e Kongresit kanë filluar të mbërrijnë në Kapitol. Eric Swalwell u tha gazetarëve “është zhgënjyese që për herë të parë në historinë e vendit tonë nuk do të kemi një transferim paqësor të pushtetit”, por shtoi se sot është një ditë “rinovimi”.
Karen Bass tha se për të, sot është dita kur merret nën kontroll pandemia e Covid-19 dhe se “për mua personalisht është fundi i përçarjes, fundi i racizmit, narcizmit, dua të them që kanë qenë katër vite të tmerrshme. Vendi ynë është copëtuar. Unë kam qenë këtu më 6 janar. Dhe kështu që sot kombi ynë mund të shërohet”.
Bass, i cili nuk mori pjesë në inaugurimin e Trump, tha se sot ishte një ditë historike për të shikuar betimin e Kamala Harris si gruaja e parë nga Azia Jugore që u betua në këtë zyrë.