Në Gjykatën e Lezhës sot do të dalë për masë sigurisë edhe xhaxhai i Aldi Ramës, Baki Rama, i cili është arrestuar në fund të dhjetorit 2020, por më pas gjykata e liroi në ‘arrest shtëpie’.
Panorama.al mëson se Baki Rama ka thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie” që gjykata i kishte vendosur për tregti të lëndëve piroteknike.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia ditën kur ndërroi jetë Aldi Rama, xhaxhai i tij nuk është gjetur në banesë. Dyshohet se familjarët i thanë policisë se ai kishte shkuar në Tiranë për të marrë trupin e pajetë të nipit. Ditën e sotme Baki Rama do të dalë para gjykatës në Durrës për t’u njohur me masën e sigurisë.
21-vjeçari Aldi Rama vrau tre ditë më parë efektivin e policisë, Saimir Hoxha gjatë një operacioni antidrogë.
Policët i kanë dhënë sinjal automjetit për të ndaluar, ku ndodhej 21-vjeçari Aldi Rama, bashkë me dy persona të tjerë. Por sapo Saimir Hoxha ka zbritur nga makina e Policisë, 21-vjeçari Aldi Rama ka qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të tij, duke e lënë fillimisht të plagosur oficerin e Policisë, por ai ndërroi jetë rrugës për në spital, pasi njëri nga plumbat e kishte prekur në pjesën e zemrës. Nga të shtënat me armë nuk pati të lënduar në radhët e efektivëve të tjerë.
Pas ngjarjes ai u arratis dhe policia u vu në ndjekje të tij. Pas disa orësh rezistencë ndaj uniformave blu, i riu plagosi veten me armë zjarri dhe më pas ndërroi jetë në spital.
Aldi Rama i kishte prindërit e divorcuar dhe jetonte tek shtëpia e gjyshërit.


