Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla zhvilloi sot një takim me strukturat në Gjirokastër, ku fokus ishte bashkëqeverisja me qytetarët.
Së bashku me Mirela Kumbaro, zhvilluan një seri takimesh me përfaqësues te Drejtorisë Arsimore Rajonale te Gjirokastrës, Zyrës Arsimore te Tepelenës e Përmetit. Ndalesën e parë ministrja e arsimit e pati ne shkollën e mesme “Siri Shapllo” nga ku ajo foli për standardizimin e shkollës së drejtorëve si modeli më bashkëkohor i funksionimit në të gjithë vendet e zhvilluara.
Ky projekt synon që të në të ardhmen çdo drejtor aktual i një shkolle apo kushdo tjetër që aspiron te jetë drejtues i një institucioni arsimor të ketë kaluar nga kjo shkollë formimi. Më tej, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë vizitoi dhe një nga investimet më të mira të bëra në institucionet arsimore, shkollën “Abaz Shehu” në Tepelenë.
“Ne kemi marrë angazhim në 100 ditët e para që të kualifikojmë të gjithë ata mësues që dolën me nevoja emergjente pas testimit që realizuam. Ndërkohë që kualifikimet dhe trajnimet kanë vazhduar me një specifikë të veçantë që lidhet me kurrikulën e re.
Njëherësh ministria e Arsimit ka organizuar disa tryeza të rrumbullakëta dhe 2 konferenca ndërkombëtare si dhe shumë vizita studimore modelesh, për të ngritur një sistem të ri të kualifikimit në vazhdim, që synon të sjellë një transformim rrënjësor dhe një qasje të re.” –theksoi ministrja Lindita Nikolla.
Ajo nënvizoi se qëllimi i kësaj reforme është që të ndryshoje mentalitetin e kualifikimit të mësuesve, të cilët deri më sot kanë kërkuar trajnimet vetëm sa për të marrë kreditet e nevojshme 1 herë në 5 vite, por ky kualifikim duhet të jetë i orientuar kah nevojave që shkolla dhe klasa ka në funksion të rritjes së cilësisë së mësimdhënies. /AlpeNews.al/


