• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 6 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

6 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
NIKOLIN PEMA: TAP, një shans për sektorin energjetik në Shqipëri
Home
Blog

NIKOLIN PEMA: TAP, një shans për sektorin energjetik në Shqipëri

7 November, 2017 Redaktor2 Blog

Në artikull nuk propozoj skema impiantesh, formula të komplikuara, por do parashtroj për një publik të gjerë, avantazhet, problemet  e aplikimet e mundshme të kogjeneracionit në fusha të ndryshme të jetës në Shqipëri. Me afrimin e përfundimit të shtrirjes së linjave të TAP (Gazsjellësi Trans Adriatik), e të stacioneve të kompresorëve në fund të vitit 2018, Shqipërisë i hapen perspektiva në përdorimin e gazit natyror. Deri tani janë ndierë efektet e TAP-it, si në punë- simin e mijëra personave në ndërmarrjet shqiptare për shtrirjen e tubave në territorin tonë. Më tej, me vënien në eficiencë të plotë, efektet do të jenë shumë më të mëdha.

Në “Programi Qeverisës” 2017-2021, Kryeministri Rama, thekson: “Një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet politikave ekonomike e financiare, që stimulojnë investimet në drejtim të rritjes dhe të zgjerimit të industrializimit nëpërmjet shtimit të aktiviteteve”. Më tej: “Në fushën e energjisë, Qeveria do të synojë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit elektro =energjetik, duke e shndërruar atë në një sektor të qëndrueshëm financiarisht, operacionalisht dhe teknikisht, të aftë për të plotësuar kërkesën në rritje për energji brenda vendit..”

“Në sektorin elektroenergjetik – Qeveria do të synojë thellimin e reformës dhe vazhdimin e programit të investimeve, për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e furnizimit për të gjithë përdoruesit fundorë të saj, në këto drejtime kryesore:

(a) rritje të kapaciteteve gjeneruese;

(b) diversifikim të burimeve gjeneruese….”.

Një ndër mënyrat për të shfrytëzuar mundësitë e përdorimit me eficiencë të gazit nga TAP, është zhvillimi i kogjeneracionit në vend. Shtysë për këtë artikull, është dëshira për të transmetuar eksperiencën personale shumëvjeçare si lektor në Universitetin Politeknik të Tiranës (Departamenti i Energjisë), si pjesëmarrës në kongrese e simpoziume shkencore, dedikuar problemeve të kogjeneracionit, por edhe si përgjegjës në shfrytëzimin e mirëmbajtjen e impianteve të ndryshme kogjenerative në Itali (për gati 12 vjet në sektorë të rëndësishëm industrialë e civilë).

Sot, nuk mund të kuptohet zhvillimi ekonomik, kulturor, shëndetësor i një vendi, pa një plan perspektiv afatgjatë të burimeve energjetike, shfrytëzimit racional të tyre, studimit njëkohësisht të mbrojtjes së ambientit, konservimit të resurseve natyrore, për të mos i lënë gjeneratave që vijnë shkretëtira. Kërkesa për energji është gjithnjë e në rritje, ndërsa rezervat tradicionale të naftës e lëndëve djegëse të ngurta në zvogëlim të vazhdueshëm. Shumë protokolle internacionale (duke përmendur Kyoto 1997 e të tjerë pas tij) i japin rëndësi shfrytëzimit të formave të reja të energjive të rinovueshme, futjes së teknologjive ekologjike si në fazën e prodhimit, transportit, shpërndarjes e konsumit të energjisë. Prodhimi vetëm i energjisë elektrike në impiante termoelektrike, nga lëndët djegëse konvencionale, shoqërohet me humbje. Një pjesë e madhe e energjisë së tyre, në formën e nxehtësisë, shkon në ambient.

Me impiantet e kogjeneracionit prodhohet energji elektrike dhe energji termike (për ngrohje e ftohje). Në terminologjinë e reklamës mund të thuhet për kogjeneracionin bazë: paguaj 1 (m3 gaz) e merr 2 (energji elektrike kwh e termike kwh); për trikogjenerazionin: paguaj 1 (m3 gaz) e merr 3 (energji elektrike kwh, termike kwh e frigoriferike kwh). Në krahasim me prodhimin e veçuar të energjisë elektrike e asaj termike, kogjeneracioni hedh në atmosferë më pak produkte të djegies, duke ndihmuar në ruajtjen e tij. Janë të shumta aktivitetet industriale e civile, që kërkojnë njëkohësisht energji elektrike dhe termike, kogjeneracioni është një teknologji me shumë avantazhe, mbasi i prodhon në vend ose në afërsi të aktivitetit, njëkohësisht energjinë elektrike e termike.

Sot, një përhapje gjithnjë e më të gjerë po gjen Mikrokogjenerimi, në qendra termale, pishina komunale, palestra private, kondominio (bashkësi pallatesh), në industrinë agroalimentare etj. Në shumë raste, “teprica” e energjisë elektrike, nga ajo e prodhuar, shkon në rrjetin lokal të shpërndarjes, duke ndihmuar në periudhat me kërkesa të larta të saj. Në krahasim me prodhimin veçmas të energjisë elektrike e asaj termike, kogjeneracioni harxhon një sasi më të vogël nga e njëjta lloj lënde djegëse, për prodhimin e së njëjtës sasi të energjisë elektrike e termike. Kjo ndikon ndjeshëm në afatin e vetëshlyerjes së impiantit.

Në Europë kogjenerazioni është i njohur e aplikuar prej shume vitesh. Parlamenti Europian prej kohësh ka njohur prodhimin e kombinuar të energjisë, duke e futur në prioritetet e politikave energjetike përmes një direktive të veçantë. Emërtohet Directive 2004/08/EC: “Promotion of cogeneration based on a useful heat demand in the internal enegy market”. Po si është ideuar një impiant kogjeneracioni në vetevete? Në tri blloqe: i pari, një motor termik (turbinë me gaz ose motor me djegie të brendshme). I dyti, një gjenerator elektrik sinkron. Blloku i tretë, impiantet e rikuperimit të nxehtësisë. Numri i makinave termike është në varësi të sasisë të energjisë elektrike e termike të përdoruesit. Në rastin e përdorimit të turbinave me gaz, lidhja e secilës prej tyre me gjeneratorin përkatës, bëhet përmes një reduktori. Produktet e djegies, që dalin nga turbina me temperaturë të lartë, janë një burim i çmuar energjie për gjeneratorët e avullit me rikuperim.

Gazet, duke kaluar përmes gjeneratorëve, prodhojnë avull për proceset teknologjike ose ujë të tejnxehur. Gazet e djegies, që dalin nga turbina, mund të përdoren edhe direkt, p.sh në industrinë e qeramikës, kur në disa procese të saj kërkohen temperatura të larta. Kur përdoren motorët me djegie të brendshme (bëhet fjalë për gazin natyror si lëndë djegëse), lidhja e tij me gjeneratorin është direkt. Edhe në këtë variant, gazet e djegies me temperaturë të lartë kalojnë përmes gjeneratorit të avullit me rikuperim për të prodhuar avull ose ujë të tejnxehur.

Në rastin e përdorimit të motorëve me djegie të brendshme, shfrytëzohen edhe burimet me temperaturë të ulet si ai i vajit lubrifikues, uji i sistemit të ftohjes. Për secilin nga këto burime nxehtësie, projektohen këmbyes nxehtësie me rikuperim për prodhim uji të ngrohtë. Në shumë raste, edhe për prodhim të ujit të ftohtë për kondicionim, duke instaluar asorbitorë që shfrytëzojnë ujin me temperaturë rreth 900 C, i cili vjen nga sistemi i ftohjes se motorëve.

Gjatë eksperiencës sime, kam punuar: në kogjeneracion me 2 motorë me djegie të brendshme, gjeneratorë elektrikë (2×1,5 MW) dhe gjeneratorë avulli për nevoja të një spitali. Në një kogjeneracion me turbinë gazi, gjenerator elektrik (5 MW ) e gjenerator avulli (35 T/ore avull), në një industri tekstili. Si edhe në një nga spitalet më të mëdha të Milanos me kogjeneracion të përbërë nga: 2 turbina me gaz e 2 gjeneratorë elektrikë (2x1MW), 2 motorë me djegie të brendshme me 2 gjeneratorë elektrikë ( 2×1 MW), gjeneratorë uji të tejnxehur (1680C), me asorbitorë për prodhim uji të ftohtë 60C.

Nga të cilët, 3 asorbitorë që punonin me ujë të tejnxehur dhe 1 asorbitor, që shfrytëzonte ujin me temperaturë 900C të sistemit të ftohjes së motorëve). Në të gjitha impiantet e kogjeneracionit të spitaleve ku kam punuar, ishin instaluar edhe gjeneratorë avulli rezervë, për vetë natyrën e spitalit, ku aktivitetet nuk ndalojnë asnjëherë.

Siç përshkruhet më lart, kogjenerazioni për industrinë ose objekte të mëdha civile kërkon investime, ku vendin kryesor e zënë turbinat, motorët, gjeneratorët elektrikë, gjeneratorët e avullit, asorbitorët, sistemet e drejtimit, monitorimit të shkarkimeve të gazeve në atmosferë, kontrollit e matjeve të konsumit të gazit, ujit, avullit, prodhimit të energjisë elektrike etj,. Të gjitha janë makineri të kushtueshme, që kërkojnë një shërbim e mirëmbajtje të kualifikuar, për të garantuar rendimentin vjetor të projektuar. Po jap një shembull nga eksperienca personale. Motorët në kogjenerazionin e fundit ishin projektuar për 6500 orë punë/vit, në diferencën 2260 orë, nga 8760 orë që ka viti ishin parashikuar shërbimet teknike, ndalesat e mundshme për defekte të lehta etj.

Kontrollet e filtrave të vajit, mbajtja në nivelin e temperaturën e caktuar të vajit, ndërrimi i filtrave të ajrit e kontrolleve të konsumit të cilindrave e kushinetave të bankos, përmes analizave të kampioneve të vajit pas një numri rigorozisht të caktuar orësh pune në laboratorë të specializuar, sillnin një efekt të ndjeshëm. Kemi arritur në funksionimin e motorëve 8000 deri 8100 orë/vit me prodhim suplementar të energjisë elektrike në miliona kwh dhe natyrisht asaj termike.

Problemet lidhur me zgjedhjen e skemave, kufijtë e përdorimit të kogjenerazionit, llogaritja e rendimenteve (rendimentit të përgjithshëm të kogjeneracionit, rendimentit elektrik, rendimentit termik etj.) duhen trajtuar me hollësisht në një artikull me specifik. Siç shkruaj më lart, TAP do tërheqë pa asnjë dyshim investitorë të vendit e të huaj, për të përdorur gazin natyror në shumë fusha. Jam i sigurt, që investitorë vendas e të huaj, por edhe vetë shteti do kthejnë sytë nga aplikimet e shumta që mund të gjejë kogjeneracioni në vend. Por të gjithë investitorët kërkojnë të kenë një legjislacion koherent, që rrjedh nga Direktiva 2004/08/EC.

Për të dhënë një shembull që Shqipëria, aspirante për në BE, aplikon norma europiane. Kam bërë një kërkim në internet në lidhje me ligje ose Vendime të Këshillit të Ministrave (VKM), që mund t’u japin përgjigje problemeve lidhur me kogjeneracionin.

Më rezultojnë ligje e VKM, dedikuar gazit natyror, të vlefshme, por kryesisht për transmetimin, shpërndarjen, tubacionet e infrastrukturën e shpërndarjes: si ligji Nr. 9946, datë 30/06/2008 “Për sektorin e gazit natyror”, siç kam sjellë më poshtë, thuhet: ” Ky ligj zbatohet për të gjitha veprimtaritë e sektorit të gazit natyror, përfshirë transmetimin, shpërndarjen, tregtimin, depozitimin, furnizimin, konsumin si dhe ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës së gazit natyror”. Nga ky ligj, “Operim” është vënia në veprim dhe shfrytëzimi, në kuptimin tregtar, të infrastrukturës së sistemit të gazit natyror (tubacione gazsjellësish, impiante GNL-je apo hapësira depozitimi të gazit natyror)”.

Edhe në VKM Nr. 713, datë 25.08.2010, “Për përcaktimin e rregullave për kushtet e procedurat për dhënien e lejeve për ndërtimin dhe përdorimin e tubacioneve e të infrastrukturës së sistemeve të Gazit Natyror” dhe atë VKM Nr.104, datë 04.02.2015 “Për miratimin e Rregullave Teknike e të kritereve të sigurisë”, pjesa e dytë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së Gazit Natyror, të Instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte”.

Në programin e qeverisë për 2017-2021, theksohet: “Politika fiskale e katër viteve të ardhshme do të orientohet drejt qëndrueshmërisë dhe nxitjes së sektorëve prioritarë”. Mendoj se kogjeneracioni bën pjesë në sektorin e energjisë, sektor prioritar. Aspektet ligjore lidhur me kogjeneracionin, duhet të përcaktojnë saktë grupet e kogjeneracionit (mundësisht 3), bazuar në fuqinë elektrike Pe dhe termike Pt,, që do të prodhojnë; kompetencat ligjore të pushtetit lokal apo qendror në miratimin e ndërtimit të këtyre impianteve.

Ligji duhet të përcaktojë qartë tarifat lehtësuese për blerjen e gazit natyror në përdorim për kogjenerim; mënyrat e lidhjes me sistemin elektrik dhe impiantet përkatëse, e në bazë të grupit përkatës çmimet e energjisë elektrike të futur në rrjet. Ligji duhet të përcaktojë qartë rregullat që duhet të ekzistojnë midis prodhuesit e përdoruesit të energjisë elektrike e asaj termike.

Po kështu, impiantet e mbrojtjes nga zjarri, të aplikuara në këto impiante; autorizimin për vënien në punë nga organet kompetente të këtyre impianteve e të personelit. Ligji duhet të përcaktoje normat e verifikimit të impianteve dhe sanksionet ndaj shkelësve. Ligji duhet të përcaktojë norma të reduktimit të emisioneve të gazeve të dëmshme ne atmosferë, limitet e sanksionet, futjen e konceptit e të aplikimit të “certifikatave të bardha”, në rastin e përdorimit të kogjeneracionit.

Shihet qartë që projektimi, ndërtimi, shfrytëzimi, mirëmbajtja e riparimi i impianteve të kogjeneracionit, kërkon personel inxhinerik edhe teknik të përgatitur për sektorët e kogjeneracionit, që treguam më lart, një rrjet të ndërmarrjeve, që do bëjnë mirëmbajtjen e riparimet në impiantet e kogjeneracionit. Një ndihmesë të madhe duhet të japin fakultetet e Inxhinierive Mekanike, Elektrike e të Mjedisit në futjen në programe të cikleve për kogjeneracionin. Po kështu, edhe për shkollat e mesme teknike, programe në lidhje me shfrytëzimin, shërbimet e mirëmbajtjen e makinave të tilla si turbina, motorë me djegie të brendshme, gjeneratorë avulli, gjeneratorë e kabina tensioni elektrike.

Një vend të rëndësishëm duhet të zënë njohuritë për sistemet e ndryshme të mizurimit e rregullimit. Bashkëpunimi i Universiteteve, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Shoqatës Termoteknike Shqiptare e shoqatave të tjera në organizimin e bisedave në TV, për të sensibilizuar publikun; artikuj në gazeta, seminare kombëtare e ndërkombëtarë me pjesëmarrje të të huajve e shqiptarëve, që jetojnë në vendet e BE e kanë eksperienca e mundësi investimi (një rol të rëndësishëm do luante angazhimi i Ministrit të Shtetit për Diasporën), për aplikimin e kogjeneracionit në vend. Kjo do sjellë patjetër, që edhe në Shqipëri, të gjejë aplikim kjo teknologji, duke hapur horizonte e vende pune të reja.

 Autori i këtij artikulli jeton aktualisht në Itali

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article E RRALLË/ Zbulohen fosilet 145 milionë vjeçare (FOTO)
Previous article Përveç SHBA, ja ku do të bëhen tjetër pagesat nga Facebook dhe Messenger

Redaktor2

Postime të ngjashme

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT