Eduard Xhezo, i shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj është arrestuar në Durrës.
Mësohet se 34-vjeçari po qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara, dhe pas sinjalit për ndalim nga postoblloku i Policisë, i riu nuk kishte ndaluar. Menjëherë Policia është vënë në ndjekje të tij duke bërë të mundur edhe kapjen e tij.
Si ndodhi vrasja në Vlorë:
Eduart Xhezo dhe një shoku i tij janë konfliktuar fillimisht me fjalë me pronarin e lokalit Arben Beqiraj, ndërsa më pas janë përdorur grushtet nga të dyja palët. Pas konfliktit fizik dy autorët kanë shkuar tek makinat e tyre të parkuara jashtë lokalit, nga ku kanë marrë një kallashnikov dhe një pistoletë me të cilat kanë qëlluar drejt Beqirajt, djalit dhe nipit të tij. Ndërkohë dy persona të tjerë i kanë ndihmuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Arben Beqiraj u plagos rëndë dje, por mëngjesin e sotëm humbi jetën, pasi ishte goditur me 6 plumba.
Kush është Eduart Zhezos:
Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Vlorës në atë kohë, gjithçka e ka zanafillën më 9 dhjetor të vitit 2005. Mëngjesin e asaj dite lindi një konflikt mes Klodian Rama dhe Eduart Xhezos (i cili zotëronte një magazinë në tregun e fruta-perimeve).
Shkak banal për këtë ishte fakti që Rama i kishte thënë të atit se nuk mund të blinin mall me çmimin e ofruar nga Xhezo. Pas kësaj janë këmbyer fjalë fyese dhe Xhezo ka qëlluar me gurin e peshës në kokë shtetasin Klodian Rama. I lënduari i është drejtuar spitalit ku ka marrë edhe mjekimin. Por gjërat nuk kanë marrë fund me kaq.
Dy orë më pas, vëllai i Klodianit, Kreshniku, duke lëvizur me një furgon sprinter me ngjyrë të bardhë në të cilin ndodhej edhe shoku i tij Bledar Mustafaj, ka ndaluar në tregun e fruta-perimeve. Pa zbritur ende ata kanë dëgjuar një breshëri automatiku.
Kreshnik Rama ka parë se po qëllohej nga Eduart Xhezo. Ata kanë qëndruar në automjet deri në momentin e ndalimit të të shtënave e më pas kanë shkuar në spital, pasi Bledar Mustafaj ishte plagosur në këmbë.
Pas kësaj ngjarjeje Xhezo, atëherë 20-vjeçar, është larguar dhe hetimet janë zhvilluar në mungesë të tij, nga ku ka rezultuar se i riu ka qëlluar me kallashnikov. Sipas togave të zeza, qëllimi i goditjes së dy të rinjve ka qenë vrasja e tyre.
/AlpeNews.al


