Media spanjolle “Noticias del Vino” e ka vlerësuar Shqipërinë si “parajsën e fundit të përballueshme” të Europës për vitin 2026, një destinacion që po korr sukses viral në rrjetet sociale jo vetëm për udhëtimet ekonomike, por edhe për pasurinë e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.
Përtej Rivierës Shqiptare, ku dallohen Ksamili me ujërat kristalore dhe Dhërmiu si një alternativë më e qetë, vendi ofron mrekulli natyrore si burimi i Syrit të Kaltër dhe ujërat termale të Banjave të Benjës pranë urës osmane.
Për adhuruesit e historisë, Shqipëria ofron një trekëndësh të jashtëzakonshëm të mbrojtur nga UNESCO, që përfshin Beratin me arkitekturën karakteristike osmane, Gjirokastrën e gurtë dhe thesarin arkeologjik të Butrintit, ku ndërthuren disa qytetërime.
Ndërkaq, në artikullin e medias spanjolle përmendet edhe veriu i vendit, i cili po tërheq vëmendje të madhe me Alpet Shqiptare.
Itinerari nga Thethi në Valbonë dhe udhëtimi mahnitës me traget nëpër Liqenin e Komanit ofrojnë peisazhe që rivalizojnë Zvicrën, të shoqëruara nga mikpritja, ushqimet tradicionale dhe pijet karakteristike si rakia e shtëpisë.
Eksperienca turistike plotësohet në Tiranë, një kryeqytet dinamik dhe plot ngjyra.
Mbi të gjitha, artikulli rrëzon stereotipet e vjetra duke e renditur Shqipërinë ndër vendet më të sigurta, falë kodit tradicional të besës.
Nisur nga investimet e shpejta që po transformojnë bregdetin me hotele luksoze, ky konsiderohet momenti ideal për të zbuluar Shqipërinë autentike, përpara se ajo të humbasë statusin e sekretit të fshehur të Mesdheut.


