Kryeministri Rama ka dhënë një intervistë për median italiane La7, ku ka folur për Shqipërinë, tranzicionin, politikën e ditës në Tiranë, pritjen e shqiptarëve nga Italia në 1991 dhe integrimin e shqiptarëve në Itali.
Ai ka qenë në studio bashkë me Vittorio Sgarbi, i cili është një kritik arti, eseist, politikan, personalitet televiziv italian dhe disa gazetarë të tjerë.
Që në fillim të intervistës gazetarja rikujtoi faktin se Rama e shndërroi Tiranën në një qytet më të gëzueshëm dhe më me ngjyra.
Më tej, gazetarja rikujtoi me një kronikë Shqipërinë e 1991, për të kuptuar se ku jemi sot.
INTERVISTA E PLOTE:
Gazetarja: Si kryetar bashkie, Rama e shndërroi Tiranën në një qytet më të gëzueshëm dhe më me ngjyra. Duke u kthyer te aktualiteti, në Shqipëri kemi edhe protesta për të cilat do të flasim në vijim. Kryeministri Rama ka mësuar italishten duke dëgjuar fshehurazi televizionin italian RAI.
Rama: Në atë kohë nuk kishte La7
Gazetarja: Tani shikoni vetëm La7
Rama: Po, sigurisht!
Gazetarja: Le të kujtojmë pak shqiptarët e vitit 1991, kur mbërritën në brigjet tona sepse është interesante si për historinë e tyre ashtu edhe për ne si edhe për të bërë një krahasim se ku jemi sot.
Gazetarja: Ishte shumë interesante të shihje ato imazhe, imazhe që edhe për ju janë shumë të forta, ju në atë periudhë keni qenë vetëm 27 vjeç, siç më thatë edhe gjatë transmetimit të kronikës. Italia për shqiptarët e asaj epoke ishte vërtetë Amerika. Ju vinit nga një diktaturë shumë e ashpër duke cituar si krahasim edhe Korenë e Veriut.
Rama: Po ne ishim një rast totalisht unik sepse vinim nga një diktaturë që nuk na izoloi vetëm nga bota perëndimore, por edhe nga bota komuniste duke pretenduar që ishim të vetmit të mbanim farin e komunizmit të vërtetë, një lloj Koreje e Veriut e Europës. Duke parë imazhet, mendoj se janë pamje të jashtëzakonshme, por edhe të një historie fantastike të emigrimit dhe integrimit. Sot janë mbi 40 mijë sipërmarrje të vogla dhe të mesme shqiptare në Itali, që kontribuojnë në buxhetin italian në mënyrë të konsiderueshme.
Gazetarja: Më thoni diçka. Pasi janë 30 mijë persona që brenda një dite që mbërritën në një qytet me 90 mijë banorë, më shumë se një pushtim i vërtetë. Si e shikonit Italinë nga Shqipëria? Çfarë ishte për ju Italia në atë kohë?
Rama: Italia ishte horizonti i vetëm për ne dhe kjo falë televizionit sepse ishim totalisht të mbyllur, një vend ku sinjali i televizionit italian edhe çdo sinjal jashtë vendit ishte i ndaluar. Që do të thotë se shkonim me pushime në jug të Shqipërisë edhe për të parë televizionet sepse kapej direkt sinjali, ndërsa në Tiranë sinjali ishte i bllokuar.
Gazetarja: Zonja në intervistë tha diçka shumë interesante. Na pritën mjaft mirë, kur mbërritëm ndërsa tashmë ardhja në Itali është më e vështirë. Ju si e mendoni, Italia është bërë një vend më i vështirë për të emigruar?
Rama: Unë besoj se në përgjithësi, në Europën e sotme ka një lloj distancimi me realitetin përreth dhe ndoshta sepse ky është brezi i parë i europianëve që nuk kanë parë luftë me sy. Dhe për ta është më e lehtë për t’u ankuar sesa për t’iu kënaqur realitetit që kanë.
Gazetarja: Gjeta një slogan të vjetër të vitit 1991 të Formentinit, ku thuhej se një votë për Formentinin një shqiptar më pak, si për të thënë që asokohe ishit ju problemi, ishit ju rreziku. Sot ju e ndjeni këtë rrezik që vjen nga Afrika, nga deti, nga Mesdheu?
Rama: Po thoja më parë, ata persona që frikësonin më parë e që u dukeshin si alienë, sot janë integruar në mënyrë perfekte, punojnë në profesione që ndoshta italianët nuk janë të gatshëm t’i ndërmarrin apo kanë sipërmarrje të shkëlqyera.
Gazetarja: Nuk duhet të kemi frikë sipas jush?
Rama: Domethënë është një integrim perfekt mes shqiptarëve dhe italianët sepse edhe kulturalisht jemi afër. Nga ana tjetër mund të kuptoj frustrimin e Italisë, pasi Italia ëshë lënë vetëm nga Europa dhe për sa kohë Europa nuk do ketë strategji të qartë, e jo thjesht të lajë duart si Pons Pilati për t’i lënë topin tjetrit, atëherë do ketë gjithnjë pakënaqësi të madhe.
Gazetarja: Këtu jemi plotësisht dakord!
Rama: Edhe tek ne në Shqipëri kanë mbërritur në vitet e fundit disa mijëra emgirant, por ne nuk jemi mësuar të bëjmë zhurmë, pasi ne e përjetojmë mikpritjen si fe, në Kanunin tonë, në paragrafn e parë shkruhet se shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut.
Gazetarja: Unë po ia kaloj fjalën Sgarbit tani, pasi e njeh mjaft mirë Shqipërinë dhe dua një koment nga Zgarbi për historinë.
Zgarbi: Unë kam dy lidhje me Shqipërinë, kam një vajzë shqiptare dhe ajo është më e mira që kam. Unë kam tri vazja, të treja shumë të mira, të bukura, por vajza shqiptare është studioze, me disiplinë dhe ka një sens të detyrës, një përgjegjësi që të frikëson. Është e bukur dhe e mirë. Isha në vitin 1992 kur nisa emisionin “Sgarbi Quotidiani”, isha i vetmi që mbroja shqiptarët e që theksoja se shqiptarët ashtu si siçilianët, si napoletanët edhe ata janë si gjithë të tjerët, janë njerëz si gjithë të tjerët. Ka një siçilianë të këqinj, një napolitan të keq. Ka dhe shqiptar të keq. Pra, isha kundër tezës që thuhet se shqiptarët janë të këqinj prej natyre. Isha kundër dhe shqiptarët i mbrojta pa fund. Në kohën kur Rama nuk ishte ende kryeministër, por ishte Berisha apo Fatos Nano, unë e kam vizituar Shqipërinë.
Dhe kam qenë i vetmi italian që flisja mirë për natyrën e shqiptarëve. Shihini (në kronikën e transmetuar) si duken.Të frikshëm, janë shumë seriozë në fytyrë. Por, nuk janë kështu. Ti nuk mund të mendosh që një siçilian është mafioz, që një napolitan është mafioz, se në Itali ka racizëm edhe mes veriut dhe jugut. Unë kam ndjerë vëllazëri mes shqiptarëve, një ndjesi instiktive. Babai ime kishte luftuar në Shqipëri dhe më fliste për Durrësin, Shkodrën etj. Më tregonte se kishte vende të mrekullueshme. Më dukej e pamundur që për natyrë ata të ishin të këqinj, gati për të vrarë, ndoshta mund të ishte kështu, por për mua ishte e pamundur që kjo gjë të vlente për të gjithë. Në vitin 1991 ata trajtohenin si afrikanët sot. Si kristian unë dua t’i mirëpres të gjithë, por problemi është ashtu siç tha zoti Rama, që e gjithë Europa sot të jetë përkrah mikpritjes dhe jo vetëm Lampeduza, Mineo, pra vetëm Italia. Kjo nuk funksionon dhe këtu Salvini ka një qëndrim të rreptë dhe është një qëndrim që do t’i shërbejë Europës. Por, në Shqipëri ka vende të mrekullueshme dhe shpëto Shqipërinë nga paleolikët, është më civile se Italia e shkatërruar nga mafiozët dhe jam i shqetësuar. Kur shkova në Shqipëri në kohën e Nanos, udhëtova me helikopter, ndërsa me kryeministrin Rama vëzhgova afresket në Voskopjë, që janë fantastike, janë si pikturat e Giottos, që meritojnë UNESCO të kujdeset për restaurimin e tyre. Kam një marrëdhënie vëllazërie absolute. Rama është edhe artist dhe kur flet për bukurinë është më i rreptë se unë. Unë kërkoja një parti të bukurisë dhe ai e ndërtoi një parti të bukurisë dhe fitoi zgjedhjet. Kush e ka me të s’është i denjë që demokratikisht të përfaqësohet. Kush e sulmon Ramën në këtë moment nuk është i denjë politikisht, nuk është një e dajthtë, është thjesht asgjë. Nuk meritojnë as të citohen.
Gazetarja: Është një moment shumë i vështirë në Shqipëri, ka shumë protesta, i shikojmë shpesh në edicionet e lajmeve. Lideri i opozitës shqiptare, të qendrës së djathtë, ka thënë se ju i keni orët e numëruara. Çfarë po ndodh?
Rama: Të falënderoj për këtë mundësi sepse kam ardhur pikërisht për të thënë se e gjithë ajo që shikohet në televizor zhvillohet në një perimetër prej një kilometri në qendër dhe është një protestë në pallatin e politikës dhe nuk ka të bëjë fare me atë…
Gazetarja: Domethënë populli nuk është në protestë, është opozita që është në protestë?
Rama: Është estabilshmenti i vjetër që u largua pas vite e vite pushtet, pasi e kishte tepruar në të gjitha kuptimet dhe sot proteston sepse ne në përgjithësi ne nuk jemi humbës shumë të mirë dhe nuk e pranojnë dot që u mundën.
Gazetarja: Ata thonë që Shqipëria është e tejmbushur me korrupsion dhe kjo është tradicionalisht kështu. Si i përgjigjeni këtyre akuzave?
Rama: Besoj juve ju mjaftojë përgjigjet mes politikanëve tuaj dhe unë nuk dua t’jua shtoj më shumë këtu. Dua vetëm të them që në Shqipëri vitin e kaluar kemi arritur gati gjysmë milionë turistë italianë dhe dua t’ju them atyre që kanë planifikuar për të ardhur të mos tërhiqen mbrapsht sepse vendi është shumë i qetë dhe nuk ka asnjë problem.
Nga ana tjetër, vitet e fundit është dyfishuar numri i sipërmarrjeve me kapital italian në Shqipëri dhe të gjithë sipërmarrësit italianë kanë sukses sepse është një vend me taksa që as në ëndrra nuk mund t’i shohin.
Gazetarja: Unë ju falënderoj dhe besoj se do vij t’ju vizitoj me Sgarbin, jo vetëm me Sgarbin sepse është e rrezikshme por me një grup.