Biznesmeni i vrarë në Sanxhak të Lezhës, Rakip Roli, rezulton person me precedentë penalë.
Rreth një dekadë më parë ai është arrestuar për rrahjen e një personi.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2011, kur Rroli bashkë me një person tjetër kanë plagosur me mjete të forta një 22- vjeçar, i cili përfundoi në gjendje të rëndë shëndetësore, por arriti të mbijetonte.
Për këtë arsye, Rroli ka vuajtur dënimin në Burgun e Shënkollit në Lezhë. Ende nuk dihet se sa kohë ka qëndruar Rroli në qelitë e burgut dhe nuk dihet nëse vrasja ka lidhje pikërisht me atë ngjarje. Pasi kreu burgimin, ai është marrë me biznes në fshatin e tij.
Krahas biznesit në fushën e ndërtimit, Roli kishte në pronësi edhe një firmë për përpunimin e drurit në qytetin e Laçit. Biznesmeni i vrarë kishte ndryshuar vite më parë edhe emrin, duke e bërë Pilo Roli. Viktima është babai i tre djemve.
Dy prej djemve të 55-vjeçarit të ekzekutuar me 7 plumba mëngjesin e djeshëm janë hetuar për trafik droge në vitin 2017.
Emiljano dhe Isuf Roli janë dy djemtë që janë hetuar për shitje të lëndëve narkotike. Ende nuk dihet dosja hetimore ndaj tyre apo nëse ata janë dënuar për këtë çështje.
Ajo që dihet është se ata bënin një jetë luksoze dhe kjo vihet re menjëherë edhe nga fotografitë që ata shpërndajnë herë pas here në rrjetet sociale. Janë Emiljano Roli dhe vëllai i tretë Sokoli, ata që reklamojnë jetën superluksoze me makina të shtrenjta, alkool dhe udhëtime të shumta.


