Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Leonard Bashaliun, 36-vjeçarin e akuzuar si autori i vrasjes së 44-vjeçarit Ylber Xhahysa. Krimi për hakmarrje ka ndodhur më 08.06.2021 në fshatin Gjocaj të Peqinit.
Viktima dhe autori kishin njohje me njëri-tjetrin. Sipas hetimeve, mes tyre kishte një konflikt të hershëm që e kishte zanafillën 5 vite para se të ndodhte krimi, kohë kur autori i dyshuar është konfliktuar me viktimën pasi ky i fundit i kishte gërvishtur automjetin.
Po ashtu Leonard Bashaliun e shqetësonte fakti që Ylber Xhahysa hiqej si i “forti” i fshatit.
“Panorama” shkruante asokohe se autori i dyshuar u shfaq i rënduar psikologjikisht pas krimit dhe tha: “u zumë kot pasi para 5 vjetësh me ka qëlluar me grusht dhe sot filloi debati me fjalë e përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit”.
Bashaliu është arrestuar nga policia e Elbasanit pas ngjarjes dhe është hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”.
Ndaj tij rëndojnë akuzat të “Vrasjes me paramendim”, “Prishje e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” parashikuar nga nenet 78/1, 274 dhe 278/1 të K.Penal.
Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan njofton se më datë 06.06.2022 kanë përfunduar hetimet dhe është dërguar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan çështja penale në ngarkim të të pandehurit Leonard Bashaliu, i akuzuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Prishje e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” parashikuar nga nenet 78/1, 274 dhe 278/1 të K.Penal.
Kjo çështje penale i përket ngjarjes së datës 08.06.2021 ku në fshatin Gjocaj të Peqinit, i pandehuri Leonard Bashaliu, vrau me armë zjarri viktimën Ylber Xhahysa, dtl.16.03.1977.
I pandehuri Leonard Bashaliu është arrestuar nga policia gjyqësore e DVP Elbasan menjëherë pas ngjarjes dhe është hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Hetimet për këtë procedim penal u kryen në bashkëpunim me DVP Elbasan.
Prokurori i çështjes është Z. Petref Asllani.


