Në një intervistë për News24, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, rrëfen planet për modernizimin e Forcave të Armatosura. Zbulon detaje për ndërtimin e kampusit të ri për kadetët shqiptarë sipas modelit të akademisë ushtarake amerikane West Point, ambicia e ministrit është që të kthehet në një pikë referimi për gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ministri i mbrojtjes tregon se Shqipëria ka blerë dronë ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara dhe se nuk është e largët dita që në bazën ajrore taktike të Kuçovës të ulen avionët luftarakë të Aleancës.
Studentët të cilët studiojnë jashtë dhe japin tashmë kontributin e tyre akademik ne sistemin arsimor ushtarak por dhe personeli i Akademisë së Forcave të Armatosura, sipas Peleshit do të vlerësohen me shumë pikë në momentin e gradimit. Në vëmendje janë edhe shpërblimet financiare të oficerëve dhe nënoficerëve të Forcave të Armatosura. Ndiqni intervistën e realizuar nga gazetarja Aurora Golemi
Zoti Peleshi, u është besuar nga kryeministri serish detyra e ministrit te mbrojtjes? Si ndiheni pasi jeni serish ne krye te një prej institucioneve me te rëndësishme te sigurisë dhe mbrojtjes ne vend?
Peleshi: është e vërtetë, duhet ta pranoj që ministria e mbrojtjes krahas dy tre ministrive të tjera bën pjesë në paketën e ministrive klasike dhe shumë të rëndësishme për shtetin. Kjo më bën të ndihem jo thjesht i kënaqur dhe krenar por mbi të gjitha të ndiej përgjegjësinë e kësaj detyre .Kjo karrige ka një përgjegjësi të dyfishtë, duke patur parasysh që Shqipëria është një vend i NATO-s, pra strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes, Forcat tona të Armatosura, janë të parat që e kanë arritur tashmë integrimin në strukturat euroatlantike, në rastin tonë në NATO.
Ktheheni pas vizitës suaj në New York ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Rama, çfarë përfiton Akademia e Forcave të Armatosura nga modeli West Point?
Peleshi: Duhet ta them se jam shumë i kënaqur, që një nga projektet tona kryesore të këtij mandati sa i përket ministrisë së mbrojtjes që është Akademia e Forcave të Armatosura kemi arritur ta sjellim në vëmendje të posaçme, të nivelit më të lartë të qeverisë që është Kryeministri shqiptar. Kështu që jam i lumtur që realizuam një vizitë në West Point, e kemi në mendje dhe në referencë sa herë që mendojmë për projektin e ri të Akademisë së Forcave të Armatosura. Nga pala amerikane, vëmendja politike është sjellë në nivelin më të lartë të mundshëm. Dua të zbuloj nuk është një sekret i madh që në samitin e NATO-s, kryeministri Rama ka patur një takim me sekretarin e shtetit zotin Blinken, dhe Akademia e Forcave të Armatosura, nevoja dhe vullneti ynë për të ndërtuar një partneritet me akademinë ushtarake West Point, është shprehur dhe është kërkuar dhe atje nga Kryeministri i vendit. Gjithashtu gjatë stërvitjes më të rëndësishme të 30 viteve të fundit, gjatë kësaj stërvitje ne patëm vizita tepër të rëndësishme historike, nga personalitetet më të larta ushtarake të NATO-s dhe kryesisht të ushtrisë amerikanë në Europë. Vetë komandanti suprem i Aleancës, gjenerali me katër yje Tod Walters ishte këtu, si dhe zoti Xherard ishte në një takim të dytë me Kryeministrin. Të gjitha këto takime i kemi shfrytëzuar për ta ngritur çështjen e Akademisë së Forcave të Armatosura dhe dëshirës sonë për të patur një model kampion të edukimit ushtarak të sigurisë dhe mbrojtjes në vendin tonë, e kemi ngritur në nivelet më të larta. Dukej gjatë vizitës sonë atje se puna ishte bërë siç duhej sepse ne gjetëm një derë të hapur në West Point, gjetëm një vullnet për bashkëpunim, ka qenë një vizitë relativisht e gjatë që Kryeministri dhe delegacioni shqiptar ka zhvilluar, por mbi të gjitha na kanë dhënë me vete bindjen se projekti për këtë bashkëpunim është i dyanshëm.
Peleshi: Aurora ka shumë modele të cilat mund të ishin ndjekur, ka akademi shumë të mira edhe për SHBA-në West Pointi nuk është akademia e vetme edhe shtetet e tjera kanë eksperiencë shumë të mirë, ne mund të zgjidhnim secilën prej tyre por duhet thënë që në fillim se SHBA për ne janë partneri strategjik special, kemi një marrëdhënie të veçantë me ta, në kuadër të NATO-s dhe në rrafshin bilateral. Kemi një partneritet që ka dhënë frutet e veta dhe jetësohet në shumë disiplina por sidomos edhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtes. Eksperiencat tona të bashkëpunimit janë të gjata. Shkaku kryesor se përse ne shkuam pikërisht në këtë periudhe në SHBA ishte kremtimi i 20 vjetorit të partneritetit me shtetin e New Jersit, në kuadër të këtij partneriteti ne kemi një bashkëpunim me gardën kombëtare të New Jersit, kemi pasur shkëmbime dhe projekte të përbashkëta, pjesëmarrje të përbashkëta në misione. Gjatë vizitës sonë ne kremtuam dhe 20 vjetorin e bashkëpunimit të shkëlqyer me ta. Pra kemi një marrëdhënie shumë të mirë, e dyta është pasi modeli i West Point-it, ne thelbin e vet ka formimin e karakterit. Ata edukojnë studentët e tyre si në shkencat ushtarake ashtu dhe në 13 profile të tjera kryesisht në shkencat inxhinierike. Ajo që është më e rëndësishmja dha ajo që dëgjon më tepër në prezantimet për West Point-in është karakteri. Pse ne kemi nevojë t’i orientojmë institucionet tona të edukimit duke vendosur në fokus karakterin dhe aq më tepër në Forcat e Armatosura.


