Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias pritet të jetë nesër në Tiranë dhe të zhvillojë (e enjte 29 mars) një takim me homologun e vet shqiptar, Ditmir Bushati.
Kotzias do të fluturojë drejt Vienës pasdite vonë ndoshta, pasi të premten do të takohet me homologun maqedonas Nikolla Dimitrov dhe negociatorin e OKB-së për çështjen e emrit, Matzhew Nimetz.
Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar rreth këtij takimi, mësohet se avioni qeveritar grek do të bëjë një ndalesë prej rreth tri orësh në aeroportin e Rinasit.
Vetë ministri i jashtëm grek do të jetë në Tiranë, për të zhvilluar një takim kokë më kokë me shefin e diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati.
Burime diplomatike në Athinë thanë se ka shumë gjasë që takimi që bëhet pa praninë e mediave dhe madje gazetarët grekë që shoqërojnë ministrin Kotzias për takimin e Vienës, të qëndrojnë në Rinas.
Të njëjtat burime thanë e takimi inkuadrohet në përpjekjet e Athinë dhe Tiranës për të mbajtur aktiv dialogun e filluar në nëntor të vitit të kaluar. Nga ana tjetër mendohet se pjesë e bisedimeve mund të jetë edhe fiksimi i një date përfundimtare për vizitën zyrtare të Kryeministrit të Greqisë, Aleksis Cipras në Shqipëri.
Përgatiti: Alpenews.al


