Gjatë një prononcimi të bërë gjatë ditës së sotme në Brerat, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u shpreh se negociatat me Greqinë janë tanimë drejt përfundimit të një proçesi të pakthyeshëm.
Intervista:
Pyetje: Zoti Bushati, në ç’pikë ndodhen negociatat me Greqinë?
Ministri Bushati: Kësaj jave do të ketë një takim tjetër mes meje dhe homologut Kotzias, ku do të vazhdojmë të diskutojmë dhe për mundësinë e gjetjes së një marrëveshje për sa i përket delimitimit të zonave detare dhe besoj që paralelisht me takimin tonë, do të ketë dhe një takim tjetër të ekipit negociator. Ky është një proces që ka hyrë në një fazë, shpresoj të pakthyeshme, por që të dyja palët kanë nevojë për kohën e tyre, në mënyrë që të shkojnë drejt një marrëveshjeje të pranueshme, të drejtë dhe siç e kam theksuar, një marrëveshje e zbatueshme.
Pyetje: Çfarë pikash kanë mbetur ende pezull?
Ministri Bushati: Parimet mbi të cilat udhëhiqet marrëveshja janë të qarta, sepse në fund të ditës janë trupëzuar dhe te autorizimi që ka lëshuar presidenti i Republikës për ekipin negociator. Natyrisht, si në çdo negociatë, palët kanë pretendime të ndryshme. Në disa raste këmbëngulet për t’u vendosur një precedent i caktuar, në disa raste të tjera për t’u sqaruar çështje që nuk janë sqaruar dot në të shkuarën. Në këtë moment, nuk mund të them më shumë për këtë çështje. Por besoj se nga analiza që i kemi bërë këtij procesi, mund të thuhet që jemi në një rrugë pa kthim dhe shpresoj që në një të ardhme jo të largët, ne ta mbyllim këtë marrëveshje, e cila nuk është e vetmja pikë, siç e kam thënë, e paketës që ne negociojmë e diskutojmë me palën greke, sepse paketa është shumë me e gjerë se kjo marrëveshje.
Pyetje: Z. Kotzias ka thënë që nuk do të bëj pushime, ju do të bëni pushime në funksion të marrëveshjes?
Ministri Bushati: Ne jemi thuajse në kontakte të përditshme për këtë çështje. Dhe dje kam pasur një bisedë telefonike me të, me homologun maqedonas dhe përfaqësuesen e lartë të politikës së Jashtme të BE, Mogherini. Gjithashtu kemi diskutuar dhe për këtë çështje, duke marrë shkas nga firmosja e marrëveshjes së djeshme mes Athinës dhe Shkupit. Besoj se ekipet tona janë me kapacitet të plotë, koha është e rëndësishme në marrëdhënie ndërshtetërore, momenti është i rëndësishëm. Ne besojmë se ka ardhur momenti pas 10 vitesh diskutimesh, të përfundojmë këtë marrëveshje, aq më tepër që sot kushtet janë përmirësuar dhe falë vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e detit që për ne është një udhërrëfyes si nuk duhet bërë një marrëveshje dhe cilat janë gabimet që duhen evituar kur futesh në një proces diskutimi.
Pyetje: Zoti Bushati, ia keni dhënë të gjitha informacionet Presidentit të Republikës?
Ministri Bushati: Është krejt normale që presidenti të kërkojë informacione më shteruese për çështje që mendohet se kërkohet një informacion më i plotë. Ka një komunikim institucional dhe njerëzor me Presidentin e Republikës për këtë çështje. Pas çdo raundi bisedimesh, Presidentit të Republikës i është vënë në dispozicion e gjithë problematika e çështjeve që janë diskutuar dhe hapave që janë hedhur në këtë proces, por mbi bazë të Kushtetutës është Presidenti ai që lëshon autorizimin për një marrëveshje të tillë, prandaj është krejt e mirëkuptueshme çdo kërkesë e tij për informacion shtesë, apo më të detajuar për një çështje specifike.
Pyetje: Në raport me vendimin që do të merret më 28-29, kjo marrëveshje me Greqinë do të jetë para apo pas? Mund të ketë një datë?
Ministri Bushati: Do ta shihni që të gjithë ata që kanë vendosur bast sikur qeveria apo Shqipëria është nën presion për të mbyllur një marrëveshje me Greqinë në funksion të datës 28 apo 29, e kanë thjesht gabim. Nuk ka pikë diskutimi që na intereson për të mbyllur gjithë çështjet e hapura me fqinjët tanë, dhe në rastin në fjalë me Greqinë, sikundër është në interesin e Greqisë për të mbyllur kapitujt me Shqipërinë. Kjo është një tezë që është hedhur në opinionin publik kryesisht nga opozita që nuk gjen bazë. Në rast se për një moment do të merrnim të mirëqenë faktin që ne jemi në një presion për të mbyllur një marrëveshje me palën greke për shkak të datës 28 dhe 29, kundërpyetja është: Po pala greke, në çfarë presioni është? Pse do të kishte interes për ta mbyllur në datën 28 apo 29? Për të gjithë ata që mendojnë se Shqipëria, me nisjen e bisedimeve për anëtarësim nuk do të ketë më standarde apo kushte për të plotësuar, unë mund t’u them që e kanë gabim. Vetëm në procesin e bisedimeve për anëtarësim mund të jenë të paktën 300 raste ku vende të ndryshme anëtare mund të vendosin në tryeze çështje të cilat potencialisht mund ta bllokojnë një vend në tryezën e bisedimeve. Prandaj çështja e datës 28-29 është jashtë këtij diskutimi. Nga ana tjetër, ne e kemi çuar të gjithë këtë proces në një pikë ku ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria dhe Greqia të gjejnë zgjidhjen e përbashkët dhe për këtë çështje dhe të dalin nga tavolina bisedimeve me ndjesinë e mirë që secila palë ka fituar në këtë proces. Sepse jo më kot quhet negociatë, marrëveshje, ku palët tentojnë të akomodojnë shqetësime të ndryshme që kanë përmes një proces negocimi dhe mirëkuptimi mes tyre.
Pyetje: Marrëveshja Athinë-Shkup lehtëson çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë bashkë?
Ministri Bushati: Natyrisht marrëveshja për gjetjen e një emri të ri përsa i përket dy fqinjëve tanë, krijon dinamikë të re në rajon. Në radhë të parë dëshmon një ndërgjegje të lartë shtetërore nga ana e të dy fqinjëve tanë dhe kësaj radhe, është Ballkani që jep shembuj për Evropën dhe BE. Dua të besoj që edhe BE do t’i përgjigjet me shembuj konkretë përmes mbështetjes së procesit të bisedimeve për anëtarësim, në rastin në fjalë me Shqipërinë dhe Maqedoninë, sepse momenti ka ardhur.