Nis seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me prokurorin Arben Nela. Trupa gjykuese përbëhet nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.
Arben Nela, aktualisht mban postin e prokurorit dhe zv/drejtuesit në Prokurorinë e Tiranës dhe është dhe kandidat për KLP-në.
Vetë prokurori është i pranishëm në seancë.
Fshehje pasurie?
Kontrolli për prokurorin Arbën Nela bëhet vetëm për kriterin e pasurisë. ILDKPKI ka deklaruar që Arben Nela ka kryer fshehje të pasurisë dhe nuk ka burime të ligjshme.
Sipas relatorit nga hetimi u konstatua se ka mospërputhje deklarimesh për burimin e të ardhurave. Edhe ILDKPKI ka deklaruar që Arben Nela ka kryer fshehje të pasurisë dhe nuk ka burime të ligjshme.
Arben Nela ka deklaruar një apartament 99 m 2 që e ka blerë në shumën 42 mijë euro me të ardhurat nga paga e tij dhe bashkëshortes dhe një huamarrje prej 25 mijë euro nga motra e bashkëshortes.
KPK thotë se blerja nuk është deklaruar në kohën e duhur dhe nuk është e qartë si është marrë dhe si është kthyer kjo shumë.
Po kështu ka paqartësi për një banesë me 136 metra katrorë në Lanabregas të Tiranës. Nela ka deklaruar se kjo banesë është ndërtuar nga prindërit e tij, por hetimi konstatoi se për truallin e kësaj banese ka mospërputhje deklarimesh si dhe ka mungesë të të ardhurave të ligjshme për blerjen e truallit. Po kështu ka mungesë të burimeve ligjore të të ardhurave nga vëllezërit për ndërtimin e katit të dytë dhe tretë të kësaj ndërtese.
Nga ana e saj bashkëshortja ka deklaruar një apartament të vet 66 metra katror e blerë me hua nga motra dhe të ardhurat e saj.
Vetë prokurori mohon të ketë kryer fshehje të pasurisë
“I kam deklaruar saktësisht pasuritë, nuk kam kryer fshehje të tyre. Kam të ardhura të ligjshme për pasurinë. Nuk është evidentuar asnjë rast që kam fshehur pasurinë”