“Pushteti dhe karrigia nuk janë të miat. Besimin ma kanë dhënë qytetarët. Unë nuk kam të drejtë të negocioj vullnetin e tyre dhe të bëhem pjesë e një historie që nuk do zgjidhte problemin, por do hapte një precedent që do e ndiqte si mallkim Shqipërinë, se çdo opozitë do thoshte pse të rrime ne 4 vjet në Kuvend, po marrim molotovët dhe po dalim në rrugë”.
Kështu u shpreh Kryeministri Rama në studion e emisionit Open kur u pyet për mundësinë e ndryshimit të datës së zgjedhjeve.
“Unë kam një ofertë shumë të qartë që është 30 Qershori. 30 Qershori është detyrim për të gjitha partitë politike që duan të dalin para popullit dhe të gjykohen”, theksoi Rama.
Por a rrezikon Shqipëria, konfliktin civil, siç deklaron opozita?
Për Kryeministrin, që të ketë konflikt civil duhet të ketë popull në konflikt. Këtu, sipas tij, nuk ka popull në konflikt, ka vetëm konflikt politik prej një grushti njerëzish që kërkojnë pushtet.
“Në ato protesta nuk është populli. Aty është një popull imagjinar me punonjës bashkish, punëtorë ujësjellësash dhe kanalizimesh, ca ndjekësish besnikë me maska”, tha Rama.


