Kryeministri Rama ka folur mbrëmjen e sotme në emisionin Open të Eni Vasilit mbi situatën politike në vend. I pyetur mbi qëndrimet e fundit të opozitës, braktisjen e Kuvendit dhe daljen në rrugë, Rama tha se kjo është një skenë e përsëritur, e parë dy vjet më parë me çadrën e ngritur nga PD.
“Është një situatë e përsëritur, e kemi parë dy vjet më parë, ka ndryshuar formë, nuk është më një çadër por një parti që ka braktisur parlamentin pa kthim. Kanë veshur jelekët e verdhë të një lëvizjeje e cila është karakteristike e grupeve që krijohen për t’u bërë vizibël por asnjëherë e partive politike dhe kërcënon njësoj si atëhere që nuk do ketë zgjedhje nëse nuk bëhet sic duam ne. Ndryshimi ndoshta është në faktin që jemi në kushtet kur ka një vendosmëri për t’i shkuar deri në fund një rruge qorre që në këndvështrimin tim është vetëvrasje politike dhe nga ana tjetër, thirrjeve për dialog i vjen gjithmonë e njëjta përgjigje standarde, e përsëritur pa pushim”, tha Rama.
Por cila është përgjegjësia e kryeministrit në këtë situatë? Sipas Ramës, dy përgjegjësitë e tij të mëdha janë besimi që i është dhënë përmes zgjedhjeve dhe zbatimi i reformës në drejtësi, të cilat sot kanë frikësuar opozitën, aq sa e kanë shtyrë të dalë në rrugë.
“Unë kam konstatuar dy përgjegjësi të mëdha, njëra është që ne kemi fituar zgjedhjet në mënyrë dërrmuese për opozitën që ka dalë tanimë në rrugë dhe kjo e bën opozitën që t’i friket zgjedhjeve dhe përgjegjësia tjetër që kemi çelur një rrugë pa kthim për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, të cilën këto forca të bashkuara rrugëve, nuk e kanë dashur që ditën e parë. Frika nga zgjedhjet, paniku nga zbatimi i reformës në drejtësi, janë shtysa të forta që kanë përcaktuar rrugën qorre të opozitës”, shtoi Kryeministri.


