Në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku 1 milion e 814 mijë e 613 qytetarë kanë të drejtë vote.
Sipas Bankës Botërore shteti me dy milionë banorë, nuk ka bërë regjistrimin e popullsisë që nga viti 2002 ku dhe 400 mijë shtetas kanë emigruar drejt Perëndimit.
15 parti politike dhe koalicione me 1.578 kandidatë garojnë për 120 vende në parlament. Sipas statistikave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, 43 për qind e kandidatëve janë gra, që i bie se çdo i treti kandidat në listë duhet të jetë grua, sipas Kodit zgjedhor.
E veçanta e këtyre zgjedhjeve është se mbahen në kohë pandemie ndërsa nuk kalon ditë pa viktima e dhjetëra të diagnostikuar me koronavirus në këtë vend. Protokolli në qendrat e votimit kërkon mbajtjen e maskës dhe distancën.


