Është një operacion kërkim-shpëtimi dhe ne duhet të vazhdojmë të shpresojmë’! Kështu u përgjigj për gazetarët kapiteni i rojeve bregdetare Jamie Frederick në Boston, të cilët e pyetën nëse ishte ende optimist për gjetjen gjallë të 5 personave të cilët ndodhen në bordin e nëndetëses së zhdukur Titan.
Ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën, ndërkohë që tashmë personave që ndodheshin në bordin e anijes iu ka mbetur edhe disa orë oksigjen. Shpresa për të gjetur dhe nxjerrë në sipërfaqe pasagjerët e nëndetëses, e cila është zhdukur që nga e diela në Atlantik, janë tashmë të pakta.
Oksigjeni brenda nëndetëses, sipas një vlerësimi mund të përfundojë sot në mesditë rreth orës 12. Askush nuk mund të thotë nëse ata ishin ende gjallë e as nuk dihej nëse sistemi i ngrohjes në bord ka funksionuar. Por, për të nxitur shpresën, thuhet se janë dëgjuar tinguj të kapur nga hidrolokatori i një aeroplani kanadez si dje ashtu edhe një ditë më parë!
“Ekziston një mundësi që këta tinguj të jenë njerëzorë,” i thotë Corriere ish-kapiteni i marinës amerikane, David Marquet, i cili komandonte nëndetësen bërthamore USS Santa Fe.
Por oqeani është një vend i zhurmshëm: ‘Ka shumë tinguj, të balenave, anijeve që kalojnë, të po atyre anijeve që tani përdoren për kërkime.” shpjegon kapiteni.
Një tjetër problem është se zona e kërkimit e cila ishte zgjeruar dje, dyfishi i një dite më parë. Në një moment, një nga avionët në një patrullë 24-orëshe dalloi një objekt drejtkëndor në sipërfaqe. Megjithatë, roja bregdetare më pas përjashtoi mundësinë se ishte një pjesë e nëndetëses.
Pesë persona ndodhen në anijen Titan, e cila u zhduk të dielën, 700 kilometra larg brigjeve të Newfoundland, gjatë një eksplorimi për të parë rrënojat e Titanikut.
Në bordin e nëndetëses ishin, biznesmeni pakistanez Shahzada Dawood dhe djali i tij, Suleman si dhe Hamish Harding, një biznesmen dhe eksplorues britanik 58-vjeçar. Dawood i përket një prej familjeve më të pasura të Pakistanit. Ai është administrues në Institutin SETI. Eksploruesi francez Paul-Henry Nargeolet 73 vjeç gjithashtu është në bord, si dhe Stockton Rush, shefi ekzekutiv i OceanGate, kompania që financoi zhytjen.


