Në një kohë që media dhe politika londineze trajton së gjeri çështjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë, me ngjyresa që janë cilësuar deri edhe përçmuese, në Tiranë, një konferencë shkencore, trajton marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në 100 vjetorin e tyre.
Përkimi i konferencës me situatën është rastësi, por ambasadori i tanishëm, Alastair King Smith ndërsa flet për marrëdhënie mes qeverive e popujve, ai thkesoi:
“Jam shumë i zhgënjyer nga raportimet negative të kohëve të fundit në mediat e Mbretërisë së Bashkuar, dhe dua të parashtroj pozicionin e qeverisë së Mbretërisë së bashkuar në lidhje me Shqipërinë. Dua të theksoj se ne e vlerësojmë kontributin e komunitetit shqiptar në Britani. Shumica janë atje ligjërisht dhe kontribuojnë ndjeshëm në shoqërinë britanike. Ata meritojnë respekt si çdo minoritet e komunitet dhe kanë të njëjtën mbrojtje nga abuzimi e gjuha e urrejtjes”, është shprehur King Smith.
Ndërsa vlerësoi Shqipërinë në 1 vit të qëndrimit të tij këtu, ai shtoi: Ne duam të frymëzojmë të rinjtë për të ardhmen dhe të krijojmë partneritete të gjata me ndikim pozitiv. Duhet të investojmë më shumë dhe të ndihmojmë komunitetet që të jenë të stabilizuar këtu”.
Diplomati u kërkoi historianëve të jenë të drejtpërdrejtë dhe sfidues ndaj tij dhe qeverisë britanike edhe për kërkesat që mund të kenë.
Në fakt, vetëm pas tre muajve sulme të paprecedentë ndaj shtetasve shqiptarë që kalonin kanalin e La Manshit me gomone, duke rrezikuar jetën, ka reaguar kryeministri i vendit duke sulmuar edhe ky autoritetet britanike.
Ndonëse ai më herët i ka garantuar këto autoritete se vendi është i sigurt dhe se shqiptarët nuk kanë ndonjë arsye të largohen. Por prej muajsh drejtuesit e ministrive të brendshme të të dy vendeve kanë sajuar marrëveshje kundër emigrantëve shqiptarë të cilët kanë mësyrë Anglinë masivisht këtë vit, për një jetë më të mirë dhe më të sigurt.


