Ish-zhytësi i Marinës tajlandezë humbi jetën ndërsa përpiqej të shpëtonte 12 futbollistët e vegjël dhe trajnerin e tyre, që mbetën të bllokuar brenda një shpelle në Tajlandë.
Saman Gunan humbi ndjenjat, e më pas jetën, ndërsa po dilte nga shpella, ku kishte dërguar bombola oksigjeni. Autoritetet thanë se detyra e zhytësit 38-vjeçar ishte të dërgonte oksigjen në thellësinë e shpellës, por ai nuk kishte mjaftueshëm kur po kthehej pas.
Vdekja e zhytësit thekson qartësisht vështirësinë e operacioneve në shpellë, e mbi të gjitha sfidën kolosale të nxjerrjes së djemve prej aty, duke u zhytur.
Autoritetet thanë se humbja e zhytësit është një tragjedi, por kjo nuk do të frenojë aspak operacionet për të shpëtuar djemtë. Ekipet e shpëtimit po stërvisnin djemtë sa munden me maskat dhe bombolat e oksigjenit, pasi zhytja duket mënyra e vetme për të dalë nga shpella.
Trupi u përcoll me nderimet më të larta.
Në një video të publikuar pak para se ai të nisej thotë: “Ne do t’i sjellim fëmijët në shtëpi”.
Video cilësohet si thirrje e motivim për të vazhduar para ndërsa kujtimi i tij do mbetet përgjithmonë i gjallë.




