Në Shenzhen të Kinës, ndodhet një nga qendrat më të rëndësishme të inovacionit botëror në fushën e robotikës – UBTECH Robotics. Kompani e themeluar në vitin 2012, UBTECH është sot një lider global në zhvillimin e robotëve humanoidë dhe robotëve inteligjentë të shërbimit.
Në fund të vitit 2023, kompania u listua edhe në bursën e Hong Kongut, duke shënuar një tjetër hap drejt rritjes ndërkombëtare.
Që në hyrje të selisë qendrore, vizitori përballet me një atmosferë futuriste. Laboratorë të mbushur me inxhinierë, shkencëtarë dhe ekspertë të inteligjencës artificiale që punojnë mbi teknologjitë më të avancuara robotike.
Në një nga sallat e demonstrimit, prezantohet Alpha Mini, roboti i vogël edukativ, i cili është i aftë të shprehë emocione, të reagojë në kohë reale dhe të komunikojë me fëmijët, duke u bërë pjesë e klasave dhe qendrave edukative. Alpha Mini është në gjendje të shprehë emocione, të mësojë, madje edhe të reagojë në mënyra shumë të ngjashme me njerëzit deri në detaje të vogla, si një teshtim i papritur.
Alpha Mini ka shërbyer edhe si ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta, ku përmes ndërveprimit e ka bërë procesin më argëtues dhe motivues.
Një tjetër arritje e madhe e UBTECH është Walker S, roboti humanoid në madhësi reale.
I pajisur me sisteme të avancuara lëvizjeje dhe inteligjence, Walker mund të ecë në mënyrë të qëndrueshme, të kryejë detyra komplekse dhe madje të ndërrojë vetë baterinë e tij.
Ky robot tashmë është pjesë e linjave të prodhimit në industrinë e automjeteve, ku kryen punë të rënda e të përsëritura duke punuar krah për krah me njerëzit.


