Alfred Peza
Ngritja e Komisionit Parlamentar për Reformën Elektorale dhe debati i filluar zëshëm ditët e fundit nga PD dhe LSI në lidhje me diskutimin e mundshëm të reformës territoriale dhe hartës së ndarjes administrative të vendit, përvecse i bëjnë mirë shëndetit të debatit politik në vend, ato sjellin edhe disa elementë të rinj që ia vlen të ndalesh.
Së pari, kjo reformë duket se do të ndjekë një nga modelet më të mira të reformave të thella strukturore që janë ndërmarrë 4 vitet e shkuara në vend. Komisioni politik nën shembullin e atij të Reformës në Drejtësi, përvecse përbërjes së barabartë mes mazhorancës dhe opozitës në Parlament, do të ketë pranë edhe Grupin e Ekspertëve Teknikë. Një tregues jo vetëm i seriozitetit të nismës, por edhe një garanci më shumë për një punë sa më profesionale e në fund, për një ligj më pak të kontestuar dhe më produktiv gjatë zbatimit në praktikë.
Së dyti, ngritja e këtij komisioni në fillim të mandatit parlamentar dhe jo në mes apo në fund të tij, sic ka ndodhur rëndom pothuajse në të gjitha herët e shkuara ku është ndërmarrë një hap i tillë, është tregues shumë i rëndësishëm. Të tillë e bën fakti se të gjitha palët politike kanë plot katër vite përpara për ta diskutuar, për të rrahur mendimet, për të bërë debat, për të ofruar modele, projekte, zgjidhje dhe për të kërkuar, dhene e mare kompromise nëse ato do të jenë të nevojshme gjatë procesit të hartimit dhe miratimit të ligjit të ri elektoral.
Së treti, ngritja që tani e komisionit palramentar të kësaj reforme, ndihmon shumë në një element esencial të kulturës sonë kombëtare. Të asaj kulture, që edhe për ceshtjet kaq shumë të rëndësishme sa kjo, apo edhe si ato për ndryshimin e Kushtetutës së vendit dhe shumë vendimeve të tjera jetike, Parlamenti vihet para faktit vetëm në seancat e saj fundore. Pra ose në fund të sezoneve parlamentare, ose në fund të vitit kalendarik ose në seancën e fundit të mandatit të saj katër vjecar. Kultura e minutës së fundit dhe improvizimit të përjetshëm, në këtë mënyrë, ndihmohet që të eleminohet nëpërmjet kulturës së re të një planifikimi afatgjatë.
Së katërti, pikërisht kjo gjë, përvecse i jep kohë palëve dhe mundësi dhe qetësi për të na sjell një draft sa më të mirë, do i japë vlerë dhe peshë reale jo vetëm cdo vote dhe cdo votuesi, por edhe cdo partie politike shqiptare. Kriteri i përcaktuar lejon në seancat konsultative të komisionit bipartizan të reformës, pjesëmarrjen e atyre partive që kanë siguruar të paktën 1% të votove në rang kombëtar në zgjedhjet e 25 qershorit. Megjithëse nga kjo mundësi përjashtohen shumë parti me kryetarë që dikur kanë qenë aktorë dhe faktorë të rëndësishëm të jetës politike të këtyre 27 viteve, duket te jete një masë e drejtë. Sepse i nxit ato që në zgjedhjet e tjera, të garojnë më fort për të qenë pjesë reale e skenës, ose sipas ligjësive politike, të dalin përfundimisht prej saj. Për ti lënë ndoshta vendin pas kësaj, partive, lëvizjeve apo koalicioneve të reja.
Së fundi, vetëm në këtë mënyrë të gjitha palëve politike parlamentare, i hiqet alibia e nesërme, për të bërë kërkesa që ose dihet se nuk do realizoheshin dot për mungesë kohe në dispozicion ose që edhe realizohen por duke dashur kohën e vet të nevojshme. Disa prej këtyre elemente të debatit të madh kane qene, ato për votimin apo numërimin elektronik, por edhe për votimin e emigrantëve shqiptarë kudo ku ndodhen, etj.
Le të shpresojë këtë radhë, se në zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare të vitit 2021 që mund të bëhen me ligjin e ri elektoral që do të “prodhojë” komisioni i sapo ngritur i kësaj reforme, do të kemi standardet e vërteta europiane të votimit, të munguara në dy dekadat e kaluara.
www.alpenews.al