Ministria e Brendshme e Italisë ka njoftuar se të gjithë emigrantët në qytetin jugor Riace, që njihet si vend për mikpritjen e tyre, duhet të transferohen.
Gjatë javës së ardhshme, emigrantët duhet të lëvizin në qendra të tjera të emigrimit.
Ky vendim vjen pas arrestimit të kryetarit të Komunës së Riacës, Domenico Lucano, pas akuzave për organizimin e martesave për shkaqe emigrimi.
Pas një debati kombëtar mbi integrimin e emigrantëve, Lucano është vendosur në arrest shtëpie.
Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, dhe partia e tij “Lega Nord” thanë se arrestimi i tij tregon se qeveria i ka shpallur luftë biznesit të emigracionit.
Kryebashkiaku, i njohur si “Mimmo”, kishte pushtuar ballinat e medieve me programin e tij për mirëseardhjen e emigrantëve në Kalabri. Sipas programit, emigrantëve iu ofrohej shtëpi dhe punë, me shpresën se do të ndikonte në ekonominë e vendit.
Ai e nisi këtë sistem në vitin 1998, nën qeverinë e asaj kohe, dhe që nga atëherë qindra emigrantë i janë bashkuar qytetit të vogël të Riaces. I përkrahur nga të gjithë si model i integrimit, kjo bëri që Lucano të zgjidhej në vitin 2016 në mesin e 50 udhëheqësve më të mirë në botë.


