Tenton të fusë telefon në burg për të vëllain, arrestohet në flagrancë. Protagonist i ngjarjes ka qenë 33-vjeçari nga Gjirokastra, Dritan Rrapa, i cili tentoi të fuste në Burgun e Bënçës një aparat celular. I riu është kapur në flagrancë nga punonjësit e burgut gjatë kontrollit të ushtruar para vizitës së programuar për të takuar të vëllanë.
Pas sekuestrimit të celularit, është bërë njoftimi i specialistëve të hetimit dhe krimit në Komisariatin e Tepelenës. Dritan Rrapa kishte shfrytëzuar mundësinë e vizitës për të vëllanë Gëzim Rrapa, 35 vjeç, që aktualisht ndodhet në paraburgimin e Burgut të Bëncës.
Ai kërkonte ta pajiste me celular për të patur komunikim të drejtpërdrejtë me të, ndonëse ligji parashikon ndalimin e futjes së sendeve të konsideruara të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Tashmë Dritan Rrapa rrezikon dënimin me burgim nga një deri në tre vjet. Po kaq rrezikon të shtohet dënimi edhe për të vëllanë. 3
35-vjeçari Gëzim Rrapa u arrestua në tetor të vitit 2016, pasi u kap nga policia duke transportuar një sasi prej 10 kg kanabi me automjetin e tij. Policia ka goditur një tjetër rast të trafikut të lëndëve narkotike dhe ka arrestuar poseduesin e saj.
Nga kontrolli në makinën e tij, tip “Renault”, u gjetën në pjesë e bagazhit tre thasë, të cilët ishin mbushur me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. b.m