Shpikje racionale e policisë Elbasan. Tani kontrollet për kanabis bëhen edhe me dron.
Metoda e re garantohet me anë të teknologjisë dixhitale të përdorimit të dronëve. Është shumë ekonomike dhe mjaft praktike. Pastaj kursen edhe fuqi njerëzore.
Sipas të dhënave, kontrollet për kanabis me këtë metodë po aplikohen sivjet. Mjafton një dron që ta lëshosh në ajër dhe kontrollon gjithë zonën përreth pa qenë nevoja që të përdoren helikopterë apo të shkelet me këmbë.
Gjatë takimit të Task forcës kundër lëndëve narkotike në prefekturën e Elbasanit u theksua se gjatë muajit Qershor nga Drejtoria e Policisë vendore janë angazhuar 218 grupe kontrolli me 810 punonjës policie, 185 automjete dhe janë zhvilluar 4037 kontrolle.
Drejtori i Policisë, Altin Qato, tha se për këtë vit ka një ulje të ndjeshme të rasteve të kultivimit të kanabisit. “Nga 7 raste të shënuara vitin që lamë pas këtë vit kanë qenë vetëm 2 situata në Peqin”.
z.Qato bëri me dije se për të parandaluar kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike veç vëzhgimit nga ajri me helikopter tashmë do të bëhen edhe me dron në mënyrë që të evidentohet çdo rast edhe në territoret më të vështira.