Ndodh edhe kështu. Katër anëtarë të grupit kriminal Bajri kallëzojnë penalisht gjyqtaren Iliriana Olldashi.
Anëtarët e grupit Bajri akuzojnë gjyqtaren për shpërdorim detyre. Ata pretendojnë se edhe pse kanë kaluar 3 javë ende nuk është zbardhur vendimi për ta duke hedhur dyshime se po mundohen t’i mbajnë me çdokusht në burg.
Kallëzimi është bërë nga Safet Bajri, Ilir (Rustemi) Bajri, Ismet Idrizi dhe Astmer Bilali.
Bajrat e Shkodrës u arrestuan vitin e shkuar në sajë të operacionit të koduar “Oaz”.
Operacioni ndërkombëtar “Oaz” arrestoi brenda një viti 11 anëtarë të grupit “Bajri”. Ata akuzohen për një sërë veprash të rënda penale: kanosje, gjobvënie të paligjshme, vrasje, trafik droge, pastrim parash, etj.
Grupi “Bajri’’ njihet si një prej strukturave më të rrezikshme kriminale në Shkodër dhe jashtë saj. Konfliktet me grupin tjetër “Lici” kanë prodhuar një numër të madh viktimash.


