Ish-zv. ministri i Integrimit, Albert Gajo, në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, gjatë viteve 2011-2013 është arrestuar nga policia e Kolonjës për zjarrvënie.
59-vjeçari, banues në Tiranë, dyshohet se në vendin e quajtur “Sarandapor”, në Leskovik, Kolonjë, me veprimet e tij ka shkaktuar rënien e zjarrit në një sipërfaqe me vreshtari, duke përfshirë më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi.
Gajo e ka ndezur zjarrin për të trembur zogjtë, që mos të afrohen pranë vreshtave. Aktualisht merret me vreshtari në Leskovik dhe prodhin verë dhe raki.
Kush është Albert Gajo ish-zv/ministri i Berishës
Albert Gajo ka qenë Bankier pranë Bankës së Shtetit Shqiptar (1985-1991). Këshilltar Ekonomik i Kryemnistrit të Shqipërisë (1992-1997). Kërkues shkencor dhe lektor pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Maastricht, Hollandë (2000-2004).
Zëvendës Ministër i Integrimit (2005-2009) dhe Zëvendës Ministër i Shëndetësisë (2009-2013). Pedagog pranë Universitetit “Mesdhetar i Shqipërisë”, Fakulteti i Shkencave Ekonomike (2015 dhe në vazhdim). Krahas gjuhës shqipe, përdor mjaft mirë gjuhën angleze, dhe ka njohuri të gjuhës italiane.
Ish-zv.ministri ka në pronësi dhe një kantinë në zonën e Leskovikut, e quajtur “Vreshtat e Pashait”.
Në media Gajo është shfaqur shpesh duke dhënë intervista për pasionin e tij për bujqësinë dhe veçanërisht vreshtat. Në foto e mëposhtme, ish-zv.ministri shfaqet duke punuar vet vreshtat e kantinës “Vreshti i Pashait”.
Njofton policia:
Dogji me zjarr një sipërfaqe me vreshtari, zjarri përfshiu më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi të ndryshme, vihet në pranga autori i dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. G., 59 vjeç, banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur “Sarandapor”, në Leskovik, Kolonjë, me veprimet e tij ky shtetas ka shkaktuar rënien e zjarrit në një sipërfaqe me vreshtari, duke përfshirë më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.’- njofton policia./Gazeta Shqip




