E vendosur në qendër të akuzave se ka lejuar ndërtime pa leje brenda parkut Kombëtar të Butrintit, ka reaguar sot për herë të parë ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.
Teksa në media lakohet fakti që në Butrintit po ndërtohet një lokal, ministrja flet hapur rreth kësaj ndërtese që në fakt ajo e ka cilësuar një kënd shërbimi për turistët dhe jo një lokal.
“Ne në ruajtje të trashëgimisë kulturore kemi bërë një studim për të parë se cilat janë hapësirat ekzistuese brenda që mund të ripërdoren dhe mund të përdoren dhe rifunksionalizohen për të krijuar një standard shërbimi, parku i Butrintit jo vetëm që është një park kombëtar por është listën e trashëgimisë botërore, kjo i jep asaj një markë të tillë që e bën tërheqës nga vizitorët. Në këto katër vite ne kemi ndërhyrë me mbi 15 projekte mirëmbajtje muresh, kullat, parmaqet, është restauruar qendra e amfiteatralit qendror dhe vitin e kaluar bëmë një rehabilitim të pikës higjeno sanitare”, ka thënë ajo në news 24 duke sqaruar këtu se gjithçka do të kontrollohet nga vetë institucioni i Ministrisë së Kulturës.
Ajo ta ndër të tjera se ky projekt është hartuar dhe miratuar rreth një viti më parë për këtë objekt të vogël që më herët ka qenë një depo. Ministrja theksoi edhe njëherë se nuk është prekur asnjë centimetër më shumë nga projekti dhe ndërtesa ekzistuese, çka mund të sillte dëmtime për parkun që është një pjesë e trashëgimisë botërore.
“Ne projektin e kemi nisur edhe në UNESCO pasi bëjmë raportim çdo vit. Bëhet fjalë për një strehë fleksibël dru dhe xham që janë fare kollaj të lëvizshme”, tha ajo, duke u ndalur pikërisht në qëllimin e restaurimit dhe nuk bëhet asnjë ndërhyrje as gërmime që mund të dëmtojnë muret shekullore.
“Është thjesht një kënd që ofron një kafe apo dhe objekte që mund të blihen nga turistët”, tha ajo.


