Lear Kurti është 32-vjeçari i cili ndërroi jetë në duar e policisë pas shoqërimit në komisariatin e Policisë nr.3 në Tiranë.
Shkaku i vdekjes së të riut është ende e paqartë, teksa historia e jetës së Learit është tejet e trishtë.
Në dëshminë që ka dhënë për gazetaren e Top Channel, Dorjana Bezat, babai i Lear Kurtit, Artur Isai tregon se nuk është babai biologjik i tij, por adoptues.
Arturi tregon se e ka marrë të riun kur ishte 2 vjeç nga shtëpia e Fëmijës për ta rritur bashkë me të shoqen ndërsa sot e kërkon nëpër dyertë e morgut për ti parë trupin.
Vdekja e Learit është tejet e dyshimtë pasi AMP ka deklaruar se i riu ka vdekur në spitalin e Traumës, ndërsa kjo e fundit deklaron se Kurti ka shkuar i vdkeur në spital.
Ngjarja pritet të zbardhet vetëm pasi trupi i pajetë i Learit t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.