Xhamia e Plumbit në Shkodër, një thesar i arkitekturës, historisë dhe kulturës jo vetëm shkodrane por edhe shqiptare pritet t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.
Ministria e Kulturës bën të ditur se ka përfunduar projekti i rehabilitimit dhe i restaurimit të Xhamisë së Plumbit në Shkodër.Sipas MK-së, së shpejti pritet të nis puna në kantierin e restaurimit për këtë monument me vlera të rralla të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitit 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatliu, ajo është shpallur Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.
Ajo është e ngritur në një fushë midis lumit të Drinit dhe kodrës së Kalasë së Rozafatit. Arkitektura e saj interesante përbëhet nga një sallë lutjeje në formë katrore, nga portiku i mbyllur në veri i rrethuar me harqe, në qoshen jugperëndimore gjendet tyrbja në formë katrore dhe minarja. Në anë të sallës kryesore të lutjes, jashtë dallohen dy ballkone në formë portiku të rrethuar me harqe në formë galerie që rrallë ndeshet në xhami të tjera.



