Krijimi i një qendre të përbashkët rajonale të operatorëve turistikë dhe të shërbimeve do të nxisë zhvillimin e turizmit në rajon.
Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama, pas takimit informal të kryeministrave të rajonit, në Durrës.
Turizmi këtë vit në Shqipëri, Mal të Zi dhe gjithë rajonin, sipas Ramës, ka pasur shifra më të mira, por ekziston mundësia për të bërë më shumë.
Duke u ndalur te iniciativat rajonale, Rama tha se “është në proces programi i konektivitetit, i ndërtimit të akseve që do të lidhin më mirë rajonin, duke filluar nga autostrada e kaltër, ose adriatiko-joniane”.
Po ashtu, Rama përmendi edhe bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve në këtë aspekt.
Kryeministri veçoi nevojën për krijimin e një qendre ndërlidhëse të informacionit të fermerëve dhe kompanive që veprojnë në këtë sektor.


