Ambasadorja Amerikane në NATO Kay Bailey Hutchison vlerëson rolin e Shqipërisë në aleancën Veri Atlantike. Në një komunikim me gazetarët zonja Hutchison shprehet se Shqipëria ka bërë shumë gjëra të drejta që kanë të bëjnë me reformat, fakt që e bën Shqipërinë një aleate të fortë. “E vlerësojmë shumë miqësinë dhe aleancën që kemi me Shqipërinë” deklaron ambasadorja Hutchison.
Duke iu përgjigjur interesit të News 24 se për ndonjë rrezik në rajon si pasojë e ndonjë ndërhyrjeje ruse, përfaqësuesja amerikane në NATO deklaron se të gjithë ne i njohim aktivitetet e Rusisë të cilat jane destabilizuese për botën.
“Ajo çfarë ndodhi në Britaninë e Madhe me agjentin nervor, që ka ndikuar rëndë qytetarët e Britanisë së Madhe nuk mund të tolerohet. Këshilli i NATO-s ndërmori një qëndrim shumë të fortë kundër çdo përdorimi të armëve kimike apo të agjentëve nervorë ndërkohë që Rusia vazhdon të mbështesë një diktator në Siri që po përdor armë kimike kundër popullit të tij”,- shprehet ambasadorja Hutchison. Sipas përfaqësueses amerikane në NATO këto lloj çështjesh nuk mund të tolerohen.
“Duke iu përgjigjur pyetjes tuaj, ne jemi të shqetësuar për këtë lloj aktiviteti që po ndodh në shumë fusha, por aleanca jonë është e bashkuar dhe ne do t’i mbrojmë anëtarët tanë nga ndikimi i keq, nga lufta hibride, nga shkelja e detyrimeve të traktateve ndërkombëtare. Dhe sigurisht që ne do të qëndrojmë të palëkundur kundër pushtimit të Ukrainës apo marrjes së Krimesë” deklaron ambasadorja amerikane në Nato Kay Bailey Hutchison.


