Është ndarë nga jeta pas një sëmundje të gjatë e të pashërueshme në moshën 82-vjeçare, ish zv.kryeministri Abdyl Xhaja, një ndër personalitetet më të spikatura të ekonomisë dhe politikës shqiptare në dekadat e fundit të shekullit XX.
Gjatë gjithë jetës së tij, Xhaja la një gjurmë të thellë në zhvillimin industrial dhe energjetik të vendit, si dhe në skenën politike të viteve të tranzicionit. I lindur më 13 mars 1943 në Elbasan, Abdyl Xhaja përfundoi studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës në vitin 1965, duke u diplomuar si ekonomist për industri.
Fillimet e tij profesionale ishin të lidhura ngushtë me qytetin e lindjes, ku shërbeu si ekonomist në ndërmarrje të ndryshme industriale.
Në vitet që pasuan, ai do të angazhohej në një karrierë të gjatë në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, ku mbajti pozicione të rëndësishme drejtuese.
Me ndryshimet politike të fillimviteve ’90, Abdyl Xhaja u bë një figurë kyçe në qeverisjen e vendit, duke shërbyer si Zëvendësministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikës, Zëvendëskryeministër dhe më pas Ministër i Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës në disa qeveri gjatë viteve 1991–1997.
Pas vitit 1997, ndonëse jashtë jetës politike aktive, vijoi të kontribuonte në fushën e ekonomisë si këshilltar pranë unionit të investitorëve të huaj dhe më vonë pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.
Për kontributin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe promovimin e potencialeve ekonomike të Shqipërisë, Abdyl Xhaja është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i shtetit të Oklahomës në SHBA – një vlerësim i rrallë për një qytetar shqiptar.
Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën nga afër si profesionist të përkushtuar dhe qytetar model.


