Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit në Tiranë ka liruar 3 nga 4 autorët që vranë më 31 mars 2024 Aureljo Dervishin, 18 vjeç, në afërsi të rrethrrotullimit në Shkozë.
Arsyeja është se procesi gjyqësor ndaj autorëve është zvarritur në hetim dhe gjykim. Babai i viktimës dha një intervistë ekskluzive për Fiks Fare, teksa pohoi se “po na vrasin për herë të dytë, djali im është në dhe, ata që e vranë pranë familjes”.
Kjo është hera e dytë brenda një kohe të shkurtër kur autorët adoleshentë, pa mbushur 18 vjeç, lirohen nga gjykata pa u dhënë dënim. Rasti i parë, i transmetuar në Fiks Fare, ishte në dhjetor 2024, ku autorët që vranë 15-vjeçarin Fatjon Bici në Gramsh dolën disa javë nga qelia, për shkak të zvarritjeve të hetimeve dhe gjykimeve. Juristët kërkojnë që çështje të tilla, me autorë dhe viktima të mitur, të hetohen dhe gjykohen me shpejtësi.
Në muajin dhjetor 2024, Fiks Fare transmetoi thirrjen e prindërve të 15-vjeçarit Fatjon Bici, i vrarë në muajin maj 2023 nga disa bashkëmoshatarë. Autorët kryesorë të sulmit që i morën jetën u liruan beftas nga Gjykata e Apelit në Tiranë, pasi çështja ishte zvarritur në hetim dhe gjykim. Disa javë pas këtij rasti, në redaksinë e emisionit Fiks Fare mbërriti një tjetër skandal, kësaj herë u liruan 3 nga 4 autorët që vranë 18-vjeçarin Aureljo Dervishi në datën 31 mars 2024.
Babai i viktimës: Ishte në vendin dhe momentin e gabuar!
Në datën 25 mars 2025, disa ditë para se të mbushte një vit nga ngjarja, Gjykata e Apelit i liroi me arsyetimin se kishte humbur fuqia e paraburgimit. Babai i viktimës kërkon ndihmën e Fiks Fare për të rivënë në vend drejtësinë, pasi, siç thotë ai, “deri tani ia ka lënë drejtësisë, nëse nuk vepron do të marrë masa vetë”.
Azbi Dervishi tregon se ka pasur dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Në mars 2024, djali i tij Aureljo sapo kishte mbushur 18 vjeç, kishte dalë nga banesa e tij në Shkozë të Tiranës dhe kishte takuar disa shokë. Thotë se nuk kishte pasur konflikt me njeri, as me shokë e të tjerë. “Ishte punëtor, e merrja në punën time si elektricist. Më prenë krahët”, thotë babai.
Ditën e ngjarjes, Azbiu shton se e kanë marrë disa shokë në telefon, ka dalë dhe kanë shkuar në një pastiçeri. Bashkë me ta ishin edhe dy vajza. Kur kanë shkuar te pastiçeria, atje ishin disa djem, ku njëra prej këtyre vajzave kishte pasur një lidhje. S’kanë bërë asnjë fjalë dhe kanë ikur me makinë. Djemtë i kanë ndjekur nga pas dhe i kanë ndaluar te rrethrrotullimi i Shkozës. Kanë debatuar dhe më pas makina e viktimës ka ikur nga rrethrrotullimi për te Brryli, ku, pasi kanë bërë vetëm 300 metra, makina e autorëve u ka dalë para.


