Zbardh dosjen hetimore të operacionit “Vol-Vo 4” ku flitet për Lulzim Berishën, ish-kreun e Bandës së Durrësit, i liruar në fund të vitit të kaluar nga burgu me kusht.
Vetë Lulzim Berisha nuk shfaqet në asnjë përgjim, në asnjë telefonatë e për këtë ndaj tij nuk ka pasur asnjë urdhërarrest apo masë sigurimi. Policia, edhe pse ushtroi kontroll në banesën e tij në Durrës, nuk gjeti asnjë gjë të paligjshme në banesën e tij. Vetë Berisha nuk ishte prezent në shtëpi.
Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, emri i Lulzim Berishës del nga komunikimet e Jasin Kalajt, Denis Laftiut me anëtarë të grupit të Avdylajve.
“Lidhjet e Jasin Kalajt me grupin e udhëhequr nga Altin Avdyli janë të evidentuara në një sërë provash dhe aktesh. Kështu, numri +249 në përdorim nga Jasin Kalaj, komunikon me përdoruesin e numrit +765 të Altin Avdylit, duke i kërkuar numrin e telefonit të një personi që e thërrasin me pseudonimin “xhuxhi”, (ndër të tjera komunikojnë për vende pune).
Lulzim Berisha komunikon me Jasin Kalajn, duke i dërguar një numër telefoni celular dhe ky komunikon me nr. +407, duke i thënë se kishin arrestuar B. për punën e Italisë dhe e kanë lënë në arrest me burg me afat 40 ditë, ku për këtë shfaqin shqetësim disa nga të dyshuarit dhe njoftojnë njëri-tjetrin”, shkruhet në dosjen e Prokurorisë.
Veç kësaj, Prokuroria nuk ka asnjë provë tjetër në dosjen në fjalë për përfshirjen e Lulzim Berishës në ndonjë trafik droge apo aktivitet kriminal. Për të nuk ka asnjë urdhërarrest apo akuza të ngritura. Lulzim Berisha u lirua me kusht në fund të vitit që kaloi, mirëpo lirimi i tij bëri mjaft bujë, duke sjellë shkarkimin dhe procedimin e drejtorit të Burgut të Durrësit.
Prokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për lirimin e tij. Kujtojmë se ai kishte marrë edhe rekomandime pozitive nga Bashkia e Durrësit për lirimin, ku i sigurohej edhe një vend pune. Lirimi i Lulzim Berishës solli përplasje të forta mes opozitës dhe maxhorancës. Edhe Ministria e Drejtësisë u shpreh hapur kundër lirimit dhe urdhëroi hetime.


