Prej disa vitesh dhjetera banesa në fshatin Spathar në Njësinë Administrave Qendër të Bashkisë së Librazhdit janë dëmtuar nga rrëshqitjet e tokës. Por edhe pse janë të vetëdijshëm për rrezikun që ju kanoset edhe gjatë këtij dimri shumë familje vazhdojnë të jetojnë në banesat e tyre të shkatërruara në pritje të marrjes së dëmshpërblimit pas fatkeqësisë natyrore që ju ka ndodhur. Mes personave që jetojnë në këto banesa janë edhe një çift të moshuarish invalidë Faik dhe Fatime Faqolli. Atyre sikurse bashkëfshatarëve të tjerë të Spatharit nga fundosja dhe rrëshqitja e tokës ju është shkatërruar shtëpia. Toka është zhvendosur e fundosur disa metra dhe muret dhe çatia janë shkatërruar disa herë aq sa nuk mund të riparohen dot me.
“Djemtë i larguam dhe u sistemuan me qira, ndërsa ne nuk kemi ku të shkojmë, pasi nuk mundemi të blejmë ilaçet dhe jo me të paguajmë qiranë”, tregon e zonja e shtëpisë Fatime Faqolli. Mes të tjerash çifti shton se; “Shteti duhet të gjejë zgjidhje pasi kjo është një fatkeqësi e rëndë natyrore që nuk mund ta përballojnë as të pasurit dhe jo ne. Këtu te ne edhe shkolla 9-vjeçare e fshatit u shemb nga rrëshqitjet. Shteti nuk duhet të kujtohet kur këto shtëpi të zënë poshtë njerëzit sepse tragjedia është në prag dhe këtë dimër vetëm Zoti mund të na ruajë nga e keqja. Do na zere catia”.

Shërbimi gjeologjik shqiptar vlerësoi se terreni ku ndodhen shtëpitë e tyre është i paqëndrueshëm dhe banorët duhet të largoheshin. Por, VKM 329 thotë se në raste të tilla, kur banesat duhet të zhvendosen, banorët që do të ndërtojnë shtëpitë e tyre të reja duhet të paraqesin në dosjen e dëmshpërblimit edhe lejen e ndërtimit. Por këta banorë e kanë të pamundur të paguajnë faturën e lejes së ndërtimit, e cila kushton jo pak por disa miliona lekë.
Përgjegjësi i Sektorit të Emergjencave Civile në Bashkinë e Librazhdit, Rrapush Bahiti shpjegon para banoreve të Spatharit se as ligji për Urbanistikën dhe as ligji për Emergjencat Civile nuk përcakton kritere lehtësuese të marrjes së lejes së ndërtimit në rastet kur banorët janë të prekur nga fatkeqësi natyrore, çka do të thotë se marrja e dëmshpërblimit këtu është pothuajse e pamundur, ndërkohë që vlera aktuale e lejes së ndërtimit shkon pothuajse sa vlera e dëmshpërblimit që këta banorë duhet të marrin. Në disa raste bashkitë kanë kërkuar krijimin e hapësirave ligjore që do të ndihmonin qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore të mund të rimëkëmbeshin, por ende procedurat e dëmshpërblimit vijojnë për vite me radhë dhe fjala “emergjencë” e humb të gjithë kuptimin e saj. Ne bashkine e Librazhdit konfirmohet se janë disa qindra familje të prekura nga fatkeqësitë natyrore si në fshatin Spathar, ku banorët janë me sytë nga qielli dhe me shpresë nga shteti.





