Në korrik të këtij viti, aktori i dashur për publikun shqiptar, Koço Devole, i cili ndërroi jetë sot në moshën 75-vjeçare, ishte i ftuar në emisionin “E Diell” me Edi Manushin, ku tregoi një histori të panjohur në lidhje me filmin shqiptar “Debatiku”.
“Unë sot zbulova, dhe kjo ishte një surprizë mjaft e bukur. Rreth viteve ’60, ju e njihni të gjithë filmin “Debatiku” . E dini cili ka qenë pretendenti kryesor për të marrë rolin e Colit? Ka qenë Koço Devole, i cili na shpjegon tani se pse nuk e mori atë rol”, shprehet Manushi në fillim të intervistës.
Ndërkohë Devole rrëfeu se në vegjëli ia kishin propozuar atij të parit rolin e personazhit kryesor, Coli. Aktori shtoi se kishte qenë nëndrejtori i atëhershëm i Kinostudios, Todi Bozo, ai që ia kishte thyer shpresa.
Sipas Koço Devoles, Bozo i kishte thënë se ai ishte shumë i madh në moshë për rolin kryesor te filmi “Debatiku”. Ndërkohë mjeshtri i madh Sulejman Pitarka, i kishte thënë atij që të mos mërzitej dhe kur të rritej të konkurronte në Liceun e Arteve për aktrim.
Por në kohën që konkurroi, aktori tregoi se ishte vetë Pitarka që e kishte refuzuar dhe i kishte thënë se nuk mund të bëhej kurrë aktor.
“Vjen regjisori Hysen Hakani në shkollën “8 Nëntori”, hyn në klasë, më shikon dhe më thotë: Ke qejf të marrësh pjesë në një film? Po kam i thashë unë.
Të nesërmen menjëherë kinoprovë. Më dha tekstin, ishte pikërisht skena me pëllumbat kur vjen Xha Lymi me karrocë… kjo ishte koniprova e parë. Pastaj bëmë edhe një tjetër me breshkën, tartarugën, me italianin. Dhe shkurt muhabetit, kur më thanë se nesër do të nisnim xhirimet, vjen nëndrejtori i Kinostudios së atëhershme, Todi Bozo, edhe thotë: Ç’bëhet? Këtë ke zgjedhur për Colin? Jo mo po ky është i madh. Jo po duhet më i vogël. Jo, jo në asnjë mënyrë. Hajde me mua në zyrë të bisedojmë. Prit më tha mua Hyseni, se erdha.
Prita, prita, prita, kur vjen aty Sulejman Pitarka. E kishte marrë vesh dhe më thotë mua mos u mërzit. Ç’është e vërteta është diskutuar se je pak i madh në moshë, duhet pak më i vogël. Po ti ke kohë, kur të vijë koha hajde në shkollën e lartë dhe të konkurrosh. Ashtu bëra edhe unë, konkurrova por nuk fitova. Nuk fitova dhe për ironi të fatit në komision ishte Sulejman Pitarka, që nuk e mbante mend. Unë i thash jam ai i rolit…Dëgjo tha: Më vjen shumë keq. Ti mund të bëhesh inxhinier i mirë, por aktor jo”, rrëfeu pak muaj më parë Koço Devole.
https://youtu.be/dxja_V-QUNs




