Vlorë, 25 shtator/ATSH-Harilla Koçi/.-Fund qershori 2018. Rreth 1600 turistë të huaj, kryesisht anglezë, mbërritën në bregdetin e Dhërmiut, në një nga plazhet më të bukura të kësaj zone. Ishte një “mësymje” e pazakontë në numër, në një nga perlat e Bregdetit të Jugut.
Për 6 ditë me radhë, ata u bënë protagonistë të një feste tradicionale, të cilën më parë e kishin organizuar në vende të tjera. Edicioni i këtij viti i këtij eventi që emërtohet KALA, i solli në Jug të Shqipërisë. Ishte një festë e jashtëzakonshme, e paprecedent për këtë zonë të bregdetit shqiptar, por jo vetëm.
Për 6 ditë dhe netë me radhë, bregdeti i Dhërmiut, u pushtua nga atmosfera festive, e cila niste në orën 16.00 të pasdites dhe vazhdonte deri në orën 05.00 të mëngjesit të ditës tjetër.
Mijërat e turistëve, nën tingujt e muzikës “live”, me këngëtarë dhe DJ të njohur nga vende të ndryshme të Evropës dhe nën shoqërinë e birrës që konsumohej pa fund, përcillnin orët duke kërcyer çift, aty, në atë hapësirë të plazhit “Empire Beach”, të rrethuar nga masa të forta sigurie. Pa u ulur për asnjë çast, ata argëtoheshin e argëtoheshin. Dhe…, në mëngjes, të lodhur nga kërcimi dhe alkooli, festuesit drejtoheshin në hotelet përreth, të cilat ishin prenotuar javë më parë, për të pushuar deri në pasdite, kur, gjithçka niste sërish nga fillimi.
Ishte një gjë e jashtëzakonshme. Netët ngjyroseshin dhe thyheshin nga muzika, dritat e projektorëve dhe entuziazmi i atyre që festonin. Valët e detit në sfond, plotësonin këtë atmosferë, e cila përsëritej çdo natë. Nga data 21 qershor e në vijim, Dhërmiu ishte në festë. Mëngjesin e 27 qershorit, miqtë do të përshëndeteshin me mikpritësit e tyre dhe, të mrekulluar nga gjithçka kishin përjetuar, premtuan se edhe në edicionin e vitit të ardhshëm do të ishin këtu, sërish.
“Ishte një festë, nga ato që dinë të organizojnë vetëm anglezët”, tregon për ATSH-në, Xhevat Shehaj, pronari i plazhit “Empire Beach”, vendi që u shndërrua gjatë një jave në mjedisin e një atmosfere të zjarrtë.
Sipas tij, përgatitjet për këtë ngjarje, kishin nisur muaj më parë. “Më kontaktuan nga Ambasada e Britanisë në Tiranë, për këtë event dhe punonjës të saj erdhën disa herë këtu, në plazh, për të diskutuar për detajet e festës”, përshkruan më tej ai.
Shehaj thotë se, në vigjilje të kësaj ngjarjeje, plazhi u rrethua dhe në hapësirën e tij u instaluan pajisjet gjigande të fonisë. Masat e sigurisë ishin të jashtëzakonshme dhe çdo gjë u organizua në mënyrë perfekte.
“Ishin më shumë se 1600 persona, kryesisht anglezë, por edhe nga ndonjë vend tjetër, të moshës 20 deri në 45 vjeç. Mblidheshin çdo pasdite rreth orës 16.00 dhe festonin deri mëngjesin e ditës tjetër, rreth orës 05.00. Kërcenin dhe pinin birra, ndërkohë që këngëtarë të njohur dhe DJ gjithashtu të njohur, plotësonin këtë festë me muzikë të zgjedhur”.
Kështu e përshkruan atmosferën e këtyre ditë-netëve, Xhevat Shehaj, plazhi i të cilit do të shndërrohet në një referencë të kësaj feste. Ai nuk mund të thotë se cilët këngëtarë, apo DJ, ishin pjesë e këtij eventi, sepse organizatorët nuk dhanë detaje të tilla, por për një gjë është i sigurtë; ishin emra të njohur të muzikës.
Shehaj thotë se, impakti i kësaj feste ishte pozitiv edhe për operatorët e tjerë në zonë, hotelet dhe subjektet e njësitë tregtare, të cilat ishin në funksion të plotë të festës dhe festuesve për 7 ditë me rradhë.
Festuesit ngelën të mrekulluar nga vendi, nga natyra, nga bukuria e detit dhe e gjithçkaje. “Më thanë se do të vijnë sërish vitin tjetër”, shprehet Shehaj, i cili thotë se eventi organizohet nga një shoqëri angleze dhe mbështetet nga Ambasada e Britanisë. Ai thotë se, një ngjarje e tillë e madhe për turizmin, nuk u pasqyrua fare nga media shqiptare. Kjo, për të është e pakuptueshme, megjithëse thotë se organizatorët ishin hermetikë në këtë drejtim.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, thotë se, Festa “KALA” e zhvilluar në plazhin “Empire Beach”, në Dhërmi, është një ngjarje e madhe për turizmin në Himarë por edhe në Shqipëri. Ai sqaron se kjo festë tradicionale e përmasave të mëdha, organizohet në vende të ndryshme, ndërkohë që, për këtë vit, organizatorët britanikë, zgjodhën bregdetin shqiptar. “Ishte një event i jashtëzakonshëm që, ne e mbështetëm me të gjitha masat e nevojshme”, citon Goro, për ATSH-në.
Ai tregon se, gjithë stafi i Bashkisë u angazhua për të marrë masat e duhura në përgjigje të kërkesës së Ambasadës së Britanisë, për të zhvilluar këtë festë në bregdetin e Himarës.
“Sugjeruam plazhin “Empire Beach”, një nga investimet më cilësore në zonë, me bindjen se, në këtë mjedis ofrohen standardet e duhura për evente të tilla. Dhe, gjithçka shkoi si s’ka më mirë”, shprehet Goro.
Në reflektim të asaj çka kishin përjetuar, organizatorët garantuan kryebashkiakun Goro se, i njëjti vend do të jetë mjedisi që do të zgjedhin edhe për edicionin e rradhës. “Festa KALA, organizuar në bregdetin e Himarës, përbën një krenari për ne dhe është një tregues se gjithçka po shkon në rrugë të mbarë në drejtim të turizmit, pavarësisht se, kjo ngjarje nuk u pasqyrua aspak dhe me asnjë rresht, apo minutë në median e shkruar dhe atë vizive, ndërkohë që, këtë gjë e bënë disa gazeta britanike”, shprehet Goro. Ai shton se, premtimi që morën për ta zhvilluar sërish në të njëjtin vend edhe edicionin e rradhës për vitin tjetër, është elementi më kuptimplotë i asaj çka ofron Himara dhe gjithë Bregdeti i Jugut, për turizmin