Andi Koraqi, shef i Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT është një prej mjekëve që ka fituar betejën me coronavirus. Në një intervistë për ‘Ilva Now’, doktori tha se e kishte kaluar infeksionin në formë jo shumë të rëndë.
Tashmë laboratori mikrobiologjik në QSUT po përgatitet për të kryer nga java e ardhshme testin serologjik (analizë gjaku për antitrupat), që do të zbulojë personat që mund ta kenë kaluar COVID-19 apo edhe ata që kanë imunitet për ta përballuar këtë sëmundje infektive.
Të parët që do t’i nënshtrohen këtij testi janë personeli mjekësor dhe forcat e rendit, të cilët janë në vijë të parë të betejës kundër virusit.
“Diagnoza e sëmundjeve infektive bëhet në disa mënyra, ose duke izoluar shkaktarin e infeksionit ose në mënyrë të tërthortë duke matur pasojat. Tamponi e kap në mënyrë të drejtpërdrejtë, kurse testi serologjik vëren pasojat që lë ky virus në organizëm”, u shpreh z. Koraqi.
“Këto teste identifikojnë antitrupat. Në fillim do të testohen mjekët dhe grupet që janë në risk, ku përfshihen dhe punonjësit e rendit. Sigurisht që ka një kosto, por nuk di të them sa kushton”, shtoi shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë.
Kapaciteti për të kryer këtë test është 180 teste në orë. Doktori u shpreh se ende nuk mund të bëhet një parashikim se sa për qind e popullsisë mund të jetë prekur nga COVID-19, por zyrtarisht deri tani janë 600 persona të prekur.


