Mediat elektronike po qarkullojnë lajmin se Ministria e Jashtme greke ka financuar me fonde sekrete mediat në Shqipëri dhe Maqedoni.
Sipas një ligji të iniciuar nga ish Ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias, përdorimi i fondeve sekrete të ministrisë, shqyrtohet nga një komision i parlamentit.
“Shqyrtimi i fundit është bërë më 10 tetor. Dosja që u hap në zyrën e kryetarit të parlamentit përmbante tre kode, për një fond prej 1 milion eurosh,”-ka informuar CNN Greek, duke shtuar se kodi i parë ishte për para që iu dhanë mediave në Shqipëri, i dytë për mediat në Shkup dhe i treti për mbështetjen e kishave ortodokse.
Sqarimi mediatik që u dha për dy kodet e para, ishte se janë përdorur me qëllim që të publikohen shkrime pozitive për Greqinë dhe të lobohet me gazetarë e drejtues mediash në dy vendet fqinje në dobi të interesave të Greqisë.
Nënkryetarët e parlamentit që kanë marrë pjesë në komisionin në fjalë, kanë thënë se po flitet për një informacion tepër të përgjithshëm dhe të padetajuar. Madje, kryetari i parlamentit Nikos Voutis, mësohet të ketë thënë se “shkakton indinjatë publikimi i gjoja shpenzimeve sekrete të MPJ, ndërsa krijon pikëpyetje serioze mbi qëllimet dhe synimet e politikanëve dhe mediave që i riprodhojnë këto lloj ‘lajmesh’.”
Partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, ka kërkuar që të publikohen të gjitha detajet nga transaksionet e fondeve sekrete të Ministrisë së Jashtme dhe të Mbrojtjes.
“Menaxhimi i fondeve shtetërore nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me ekuilibrat brenda qeverisë, por i intereson gjithë shoqërisë greke. Qeveria dhe personalisht zoti Tsipras duhet t’u japi përgjigje të pastra qytetarëve”, thuhet në deklaratën e Demokracisë së Re.
Vetë qeveria ka akuzuar partinë më të madhe opozitare dhe kryetarin e saj, Kyriakos Mitsotakis.
“Publikimi i gjoja informacioneve mbi disponimin e fondeve sekrete dëmton direkt interesat kombëtare dhe është rezultat i mizerablitetit të Demokracisë së Re dhe zotit Mitsotakis”, ka nënvizuar zyra e shtypit të kryeministrit grek.


