Në kuadër të Ditës Kombëtare të Jetimëve, Kuvendi priti sot në sallën e seancave plenare 200 fëmijë jetimë nga Shqipëria dhe Kosova.
Luftar Paja, Marina dhe Luana Vjollca kanë zgjedhur që të zënë karriget e grupit parlamentar socialist sot në Kuvend, ndërsa Kozma Dushi u ul në krahun ku përgjithësisht vendoset grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Ajo që ra në sy ishte edhe aktorja Rajmonda Bulku, e cila disa vite më parë ka qenë deputete e PD. Këtë radhë, ajo preferoi që të zërë karrigen e një deputeti socialist.
Të pranishëm në aktivitet ishin dhe shumë figura të shquara të jetës publike nga arti, shkenca, komunitetet fetare, televizioni dhe muzika. Kryegjyshi botëror i bektashinjëve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, aktorët Luftar Paja, Mirush Kabashi, Marjana Kondi, Raimonda Bulku, Rudina Dembacaj, tenori Kastriot Tusha, artistët Bujar Kapexhiu dhe Mimika Luca, kompozitori Agim Krajka, këngëtarët Justina Aliaj, Luan Zhegu, Irma Libohova, Manjola Nallbani, Kozma Dushi, moderatorja Silvana Braçe, miss-i i parë shqiptar Valbona Selimllari, si edhe figura të tjera të njohura të ekranit si Eni Çobani dhe motrat Marina dhe Luana Vjollca ishin të pranishëm në aktivitetin e sotëm për t’u qëndruar pranë fëmijëve në aktivitetin e tyre.
Fëmijët jetimë simuluan një seancë plenare, ku përmes fjalimeve të mbajtura, paraqitën me plot mjeshtëri fjale kërkesat e tyre për më shumë solidaritet, si një shtresë e veçantë që meriton ndihmën, vëmendjen dhe kujdesin e posaçëm nga shoqëria dhe strukturat shtetërore përgjegjëse.







