Monika Kryemadhi, ashtu si i shoqi dhe Petrit Vasili, nuk janë fort entuziastë për shumën e mbledhur në Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë.
Në një konferencë për shtyp, Monika Kryemadhi ka thënë se 800 milionë euro, nga 1.15 miliardë të mbledhura, janë borxh dhe do paguhen nga shqiptarët.
“Sigurisht që buzëqeshja e kryeministrit tonë ishte shumë e madhe, sepse prej vitesh po kërkon për të marrë kredi nëpër bankat dhe institucionet ndërkombëtare për të paguar pagat dhe për të paguar shpenzimet administrative.
Kishim një shumë prej 885 milion euro, të cilat janë në formë huaje, në formë borxhi që janë para që do ti paguajnë shqiptarët me taksat dhe paratë tona, do ti paguajnë fëmijët e shqiptarëve.
Prandaj është shumë e rëndësishme për të pasur një institucion monitorimi, të pavarur, me ekspertë që do të bëjnë monitorimin e të gjithë këtij projekti, sepse ajo që është edhe më e rëndësishme është që besimi i shqiptarëve te kjo qeverisje ka humbur.
Duke ripërsëritur edhe njëherë atë që tha dhe z. Matthew Palmer dje në konferencë: “SHBA do të themelojnë me paratë që kanë dhënë dje akademinë e transparencës, e cila do të ndihmojë Shqipërinë për administrimin në mënyrë transparente, llogaridhënëse të donacioneve të pas tërmetit dhe fondeve të tjera publike.”
Gjë që tregon shumë qartë atë çka është dhe shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, sepse tashmë shqiptarët janë mësuar që paratë e tyre nuk shkojnë më në shërbim të tyre, por në xhepat e qeveritarëve të Rilindjes.
Prej shumë kohësh kjo qeveri ka treguar që është e paaftë për të qeverisur buxhetin e shqiptarëve.
Ne do të jemi të gatshëm dhe do të jemi vigjilentë për të ndjekur hap pas hapi çdo projekt që ka të bëjë me rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve. Por jo vetëm të shtëpive, por edhe të shkollave, të kopshteve, të çerdheve, të kishave dhe xhamive, të cilat janë objekte që janë në shërbim të qytetarëve.
Dhe absolutisht do të ndjekim hap pas hapi nëse kjo qeveri këto para të cilat dje Europa ju a dha shqiptarëve, do ti përdori për fluturimet e tyre luksoze, për zyrat e tyre luksoze apo për investimet e tyre të luksit të administratës”, tha Kryemadhi.
Në opozitë janë shqetësuar nga shuma e mbledhur një ditë më për për Shqipërinë, pasi e shohin këtë si një fitore të Edi Ramës, që mund t’i japë edhe një mandat të tretë.
(TemA)