Alfred Peza
Gjatë ditëve të Europianit të Futbollit në Francë, për të ndjekur ndeshjet e kombëtares sonë, fati e desh që të takoja legjendat e futbollit që aq shumë i kisha adhuruar nëpër stadiume në rininë e hershme, Hysen Zmijani dhe Sokol Kushtën. Në një moment, biseda u bë nostalgjike dhe unë i kujtova Kolit, një batutë që qarkullonte atë kohë rreth mënyrës alla vlonjatshe sesi djemtë e lagjes e kishin uruar nënën e tij për atë gol të jashtëzakonshëm që ai shënoi më 1987 në Beograd, kundër Partizanit. E ndërsa ai ma ktheu me humorin e tij tipik, biseda shkoi vetëvetiu tek peripecitë e pas ndeshjes, për të sjellë në Shqipëri ndonjë mall të ndaluar të asaj kohe, si xhinse, ora, syze apo televizorë me ngjyra. Megjithëse e kishim eleminuar Partianin e Beogradit, atmosfera ndaj futbollistëve tanë, nuk kishte qenë armiqësore atë kohë.
Pas plot 30 vjetësh, fati e do që të enjtn më 19 tetor, në stadiumin “Elbasan Arena”, një ekip tjetër yni që po bën emër në këtë epokë, si vlonjatët atëherë, pret përsëri të njëjtin ekip, Partizanin e Beogradit për ndeshjet e Europa League në grupe. Këto ditë,më 14 tetor u mbushën plot tri vite nga ajo ndeshje e tmerrshme me ekipeve kombëtare të futbollit tonë dhe ai të Serbisë në Beograd. Një ndeshje që njihet ndryshe si përleshja epike që provokoi “droni” i Ballist Morinës dhe ku ajo që ndodhi në fushë, do të mbahet mend gjatë si ngjarja më e shëmtuar që një mikpritës mund ti dhurojë mysafirëve në shtëpinë e vet. Ethet nacionaliste nga ajri dhe nga shkallët e stadiumit rreth e rrotull, morën flakë me ndezje gjakrash e dhunë fizike, fillimisht në fushën e gjelbërt, e më pas e gjitha përfundoi në një turp të madh, që ndoshta nuk do të harrohet kurrë.
Në ndeshjen e kthimit në Elbasan për eleminatoret e Francë 2016, megjithëse kujtimet dhe plagët ishin ende të freskëta, asgjë nuk ndodhi kundër kombëtares serbe të futbollit. Asnjë incident nuk u shënua, asnjë ekses, megjithëse morëm një humbje shumë të hidhur në minutat e fundit të takimit. Madje kam qenë vetëm pak metra pas pankinës serbe, kur njëri prej futbollistëve të tyre që u ndërrua në pjesën e dytë, nuk e fshehu habinë e madhe kur pa që ta duartrokisnin në Shqipëri.
Orët e fundit mësohet se shtypi serb po i mëshon shumë shtimit të masave të sigurisë për ekipin e tyre, për ndeshjen e kësaj të enjteje. Mediat janë duke folur më shumë për gjara krejt të tjera, sesa për atë që përgatitet të ndodhi mes dy ekipeve profesioniste në 90 minutat ne fushën e lojës. Një gazetë e denoncoi si situatë të jashtëzakonshme faktin se në ruajtjen e delegacionit serb do përfshihen forcat speciale. Ndërkohë që klubi bardhezi do marrë me vete nga Beogradi 4 roje shtesë, por edhe ushqimet e një kuzhinier.
Dikush duhet ti thotë serbëve, që mos i merni ushqimet kot me vete, se asgjë nuk ka për të ndodhur në Shqipëri. As incidente nuk ka për të patur jashtë fushe, e sigurisht as brenda në fushë. Jemi në vitin 2017, plot tri dekada pasi Sokol Kushta u shënoi atë gol jehona e të cilit do të na shoqërojë në formën e kujtimeve, gjatë gjithë jetës. Nuk jemi as në luftën e ftohtë, e as në luftën e nxehtë. Nuk është as ceshtje politike, as nacionaliste aq më pak lufte për jetë a vdekje. Eshtë thjeshtë një lojë. Eshtë ceshtje sporti, argëtimi, biznesi e cila në fund, do të përfundojë thjeshtë në një statistikë. Ejani, argtohuni, fitoni na mundni po keni këllqe ose fat, barazoni apo humbni, por në fund shiheni thjeshtë si një ndeshje me top, si sport që bashkon. Le të fitojë më i miri, e ti shtërngojë dorën humbësit.
Partizanët dhe Skënderbeu kanë të përbashkët, se kanë qenë dikur në epokat e tyre luftëtarë, ndërsa tani janë kujtime nëpër muze, piedestale e libra histori. Le ti respektojmë për ato që kanë bërë. Ndërsa ata që përfaqësojnë klubet e futbollit me këto emra, janë disa djem profesionistë e të talentuar, që po shijojnë një aventurë të bukur europiane futbolli. Gëzojeni deri në fund se e meritoni. Vetëm kaq.